Deklarata e Samitit Ukraina – Evropa Juglindore, mbështetet sovraniteti territorial i Ukrainës

(Lajm i përditësuar)


Deklarata e Samitit Ukraina – Evropa Juglindore, mbështetet sovraniteti territorial i Ukrainës

Pjesëmarrësit e Samitit Ukraina- Evropa Juglindore kanë dalë me deklaratë të përbashkët sot në Tiranë.

Në këtë deklaratë thuhet se agresioni ushtarak i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe përsëritet mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur që nga viti 1991.

Deklarata e plotë:

Ne, presidentja Vjosa Osmani, presidentja Maia Sandu, presidenti Jakov Milatoviq, presidenti Stevo Pendarovski, presidenti Aleksandar Vuçiq, presidenti Volodymyr Zelensky, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo, kryeministri Nikolay Denkov, kryeministri Andrej Plenkoviq, kryeministri Ion-Marcel Ciolacu u mblodh në Tiranë më 28 shkurt 2024 dhe lëshoi deklaratën e mëposhtme:

Agresioni ushtarak i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Ky akt agresioni është i papranueshëm; është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së, dhe një krim kundër popullit ukrainas.

Ne përsëritëm mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991 dhe mbetemi të përkushtuar për t’i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme për të mbizotëruar kundër luftës së agresionit rus për aq kohë sa duhet për të të arrihet një paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme në përputhje me Kartën e OKB-së dhe në bazë të Formulës së Paqes të Ukrainës.

Ne i bëjmë thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe integritet territorial.

Ne dënojmë me forcë synimet e Federatës Ruse për të mbajtur zgjedhje presidenciale në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës, gjë që paraqet një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Theksojmë natyrën e paligjshme të zgjedhjeve të ardhshme në Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit dhe në territoret e pushtuara nga Rusia të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhya dhe Kherson të Ukrainës.

Gjatë diskutimeve të sotme në Tiranë, ne rikonfirmuam solidaritetin tonë me Ukrainën dhe popullin e saj në mbrojtjen e tyre heroike të lirisë së tyre dhe vlerave tona të përbashkëta dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zbatimin e Formulës së Paqes të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, e cila është në përputhje me Qëllimet dhe Parimet e Kartës së OKB-së dhe të marrë pjesë në Samitin inaugurues të Paqes, duke siguruar pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare në këtë proces.

Ne jemi të bindur se lufta në shkallë të plotë të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka treguar nevojën kritike dhe rëndësinë thelbësore të një Evrope të bashkuar dhe të fortë, e aftë për t’u përballur me sfidat globale për paqen dhe prosperitetin e popujve tanë. Theksuam se na bashkojnë vlerat e përbashkëta evropiane dhe vizioni i zhvillimit të tyre të mëtejshëm brenda një Evrope të bashkuar.

Ne riafirmuam vendosmërinë tonë për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar përparim të mëtejshëm dhe mbështetje të ndërsjellë drejt anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.

Ne mbështesim plotësisht të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur masat e veta të sigurisë. Aleatët e NATO-s dhe vendet aspiruese lavdërojnë hapat e ndërmarrë drejt anëtarësimit të saj të ardhshëm në NATO dhe mbështesin Ukrainën që të bëhet anëtare e Aleancës sapo ta lejojnë kushtet e sigurisë.

Ne nënvizuam angazhimin tonë të vendosur për të sjellë para drejtësisë ata individë përgjegjës për krimin e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e tjera mizori sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në lidhje me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përmes hetimeve dhe ndjekjeve të duhura, të drejta dhe të pavarura në nivel kombëtar ose ndërkombëtar, duke përfshirë punën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të siguruar që pretendimet për krime lufte dhe krime të tjera ndërkombëtare të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë nga mekanizma të pavarur, efektiv dhe të fuqishëm ligjor.

Ne ramë dakord të bashkëpunojmë dhe të fokusojmë përpjekjet tona në kthimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar dhe zhvendosur me forcë në mënyrë të paligjshme dhe të paligjshme.

Ne zotohemi të rrisim përpjekjet tona bashkëpunuese për të luftuar dezinformimin, duke përfshirë narrativat e rreme rreth luftës, dhe të mbetemi të përkushtuar në luftimin e luftës hibride dhe sfidave të sigurisë kibernetike, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e komunitetit ndërkombëtar.

Sot në Tiranë, ne riafirmuam solidaritetin dhe mbështetjen tonë për Ukrainën, shprehëm angazhimin tonë për të marrë pjesë në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës, në mënyrë që t’i mundësojmë popullit ukrainas të rindërtojë vendin e tij, duke angazhuar të gjithë partnerët përkatës, duke përfshirë kompanitë private dhe ndërkombëtare, institucionet financiare, me synimin për të siguruar mbështetjen financiare, investimet dhe njohuritë e nevojshme për të siguruar një të ardhme të begatë për Ukrainën. Ne nënvizojmë rëndësinë e çminimit në kontekstin më të gjerë të rimëkëmbjes së Ukrainës, si hapi fillestar i rëndësishëm drejt kthimit të sigurt të njerëzve dhe rifillimit të aktivitetit ekonomik dhe bujqësor.

Ne, miqtë e Ukrainës, konfirmojmë besimin tonë të fortë se vetëm duke u bashkuar do të jemi në gjendje të rivendosim paqen, stabilitetin dhe stabilitetin e drejtë dhe prosperitet në kontinentin evropian.


Zelensky: Mirënjohje popullit shqiptar për mbështetjen e sinqertë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore që u zhvillua të mërkurën në Tiranë, theksoi se “së pari dëshiroj të falenderoj kryeministrin Rama për të gjithë që keni bërë, pra mbështetjen tuaj personale dhe atë të Shqipërisë për Ukrainën, si ushtarake ashtu edhe atë humanitare dhe atë politike”.

Presidenti ukrainas Zelensky u shpreh se çdo komb ka nevojë të respektohet dhe ka nevojë për sigurinë.

“Edhe sot ne e kemi parë mbështetjen e Shqipërisë nga ju dhe nga partnerët e tjerë dhe faktin që ju keni kuptuar siç duhet që çdo komb ka nevojë të respektohet dhe ka nevojë për sigurinë e vet dhe gjithashtu që këto janë ato parime të cilët në fakt përkufizojnë siç duhet çdo gjë të mirë që mund të ofrojë një komb”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas është përgjigjur edhe në pyetjet e gazetarëve për sa i përket këshillave të tij për liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Evropian lidhur që mos të përhapet lufta e Ukrainës në vendet tjera të globit. Ai tha sot nuk duhet të bëhen ‘pauza, por të forcojmë Ukrainën, sepse Rusia nuk do të ndalet’.

“Unë mendoj se ajo çfarë po ndodh tani është shembulli i duhur, ndoshta nuk është aq e thjeshtë për të gjithë ata që janë ulur rreth një tryeze dhe ne kuptojmë se çfarë është një gjë e tillë, por mund të jetë e vështirë edhe për shoqëritë e këtyre udhëheqësve. Ne nuk i kushtojmë vëmendje provokimeve, provokimet vetëm përçajnë. Samiti i sotëm ka të bëjë me bashkimin dhe mendoj se shtetet e Ballkanit duhet të jenë së bashku sot. Mendoj se Rusia do të bëjë gjithçka që të destabilizoj situatën, në fakt nuk e ka gëlltitur situatën me Ukrainën. Sot nuk duhet të bëjmë pauza por të forcojmë Ukrainën sepse Rusia nuk do të ndalet. Rusia del në përfundime për gabime që ka bërë në territorin e Ukrainës, në çoftë se do të ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe me mundësinë që të mbijetoj në këtë agresion kundër nesh do të përdor taktika të tjera”, tha ai.

Ai tutje ka thënë se “ne duhet të ndërtojmë fabrikën e armëve dhe Ukraina duhet të vazhdojë sferën e bashkëprodhimit dhe mbrojtjes”.

“Së bashku duhet t’i privojmë Rusisë mundësinë…, ne duhet të ndërtojmë fabrikën e armëve dhe Ukraina duhet të vazhdojë sferën e bashkëprodhimit dhe mbrojtjes, dhe unë u jam mirënjohës kolegëve që punojnë së bashku në rritjen ekonomike. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që të mos ketë vonesa në furnizimin me armë. I gjithë ai hezitim frymëzon vetëm një njeri, Putinin, dhe sa më shumë ai të shohë deficitin tonë, deficitin në pajisje dhe armatime, aq më shumë do të mendojë se mund të çojë deri në fund Evropën dhe Perëndimin. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme për çdo komb të lirë, dhe rezultati i këtij samiti është të kemi marrëveshje konkrete në veçanti për forcimin e Ukrainës dhe artilerisë sonë”, tha ai.

Ai foli edhe për takimin me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për çka tha se “e kam pasur një takim shumë të mirë me presidentin Macron dhe ishte një takim me shumë nisma, koalicioni për artilerinë me SHBA por edhe me partnerë të tjerë. Ne duhet që të mbijetojmë dhe që të mbijetojmë për Ukrainën do të thotë që të kemi vendime konkrete’.


Porosia e Zelenskyt: Duhet të jeni të bashkuar, Rusia do bëjë çdo gjë për destabilizuar Ballkanin

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka thënë se rreziku për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor është i lartë ndaj  sipas tij të gjitha shtetet duhet të jenë të bashkuar

“Fakti që ndodhemi këtu të gjithë së bashku kemi shembullin historik të marrëdhënieve të ndryshme. Është një mënyrë për tu mbrojtur, drejt paqes. Unë mendoj se ajo që po ndodh tani është shembulli më i duhur. Ne nuk u kushtojmë vëmendje provokimeve.”

“Shtete e ballkanit duhet të jenë bashkë. Rusia do të bëjë diçka për të destabilizuar Ballkanin. Rusia nuk do të ndalet. Rusia do të destabilizojë më tej nëse do të ketë mundësinë e pauzave dhe do përdorë taktika të tjera e të ketë ndikim në vendet e vogla”, tha Zelensky.

Për rrezikun e një lufte në Ballkan u pyet edhe kryeministri Edi Rama, i cili dha këtë përgjigje:

“Kam qenë i privilegjuar që kam diskutuar me presidentit saktësisht rreth kësaj gjëje. I thash diçka që do ja u tregoj edhe ju që për mua është përgjigja më e qartë më e shkurtër dhe më e qartë. Për faktin se ku do shkojë bota nëse ne ndjekim mendimin e Putin. “

Merreni me mend sikur në këtë rajon të gjithë ja nisin të mendojnë që t’i shohin marrëdhëniet ndërkombëtare në harta. Ajo çka më shqetëson më shumë jo të gjithë e kuptojnë që sulmi në Ukrainë është rendit botëror dhe bashkësisë së vendeve demokratike. Është një sfidë ndaj vetë ekzistencës së BE, sepse kjo logjika e ndezjes së një lufte bazuar në lavditë e kohëve të shkuara do të mbizotërojnë, ne nuk do mbijetojmë më në botën që njohim, por në një botë ku më i fuqishmi vendos. Në Ballkanin perëndimor, ne ndamë mendime dhe sigurisht që nuk jemi një rajon pa probleme, ku nëse ti do të ndezësh një luftë gjen harta dhe histori të së shkuarës. Lufta është kaq pranë sa jemi ne këtu”.


Përfundon Samiti për Ukrainën në Tiranë

Ka përfunduar Samiti Ukrainë -Evropa Juglindore i cili u mbajt sot gjatë ditës në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Në përmbyllje të Samitit liderët kanë realizuar edhe një foto bashkë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pas fotografisë, ata u futën prapë brenda ambienteve të Pallatit të Kongreseve, ndërsa pritet që Rama dhe Zelensky të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.

Presidenti ukrainas ka falënderuar të gjitha kombet për ndihmën që i kanë dhënë Ukrainës, ndërsa ka propozuar organizimin e një forumi të përbashkët për fushën e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit.


​Zelensky në Tiranë: Dështimet e Putinit janë siguria jonë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se dështimet e udhëheqësit rus, Vladimir Putin janë siguria e tyre. Sipas tij, i njëjti po bën përpjekje që të përdor diktakte të vjetra për shtetet të veprojnë siç dëshiron ai. Kështu u shpreh ai në fjalën hapëse, në kuadër të samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”, që po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë.

Ai tha se nuk duhet të ketë Evropë me dinjitete të ndryshme në të, ku dikush meriton më shumë siguri, ndërkohë që ka vende të cilat nuk po jetojnë në paqe.

“Putini dëshiron të bëjë pikërisht këtë gjë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që bën dhe gjithçka që ai dëshiron që të bëjë duke detyruar kombet tjera që edhe ato të bëjnë ashtu siç thotë ai, është një përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se çfarë duhet të bëjnë kombet, me çfarë bien dakord ato. Është shumë e rëndësishme për gjithë kombet tona, për shtetet e lira që Putini, regjimi i tij të humbas. Sepse dështimet e tij janë siguria jonë”, deklaroi ai.

Zelensky u shpreh mirënjohës të gjithë kombeve që kanë përkrahur Ukrainën dhe siç u shpreh ai, formulën e paqes.

“Ne besojmë që respekti për çdo komb dhe e drejta e barabartë e kombeve për të pasur siguri, si dhe edhe zgjedhjen e pavarur për fatin e tyre duhet të jenë parime universale. Dhe gjitha këto nëpërmjet bashkëpunimit tonë dhe ne duhet ta bëjmë këtë të qartë. Së pari ne besojmë çdo shtet, çdo komb në Evropë që i ruan parimet e komunitetit evropian dhe atë euroatlantik dhe dëshiron të bëhet anëtare e këtyre komuniteteve meriton integrimin e plot. Ukraina mbështet vendet tuaja për integrimin evropian dhe ju është shumë mirënjohëse për mbështetjen që po na jepni për integrimin tonë”, shtoi ai.

Presidenti i Ukrainës theksoi se gjatë kësaj lufte kanë treguar se është e mundur që të fitosh mbi armikun më të fuqishmin në botë.

“Ne kemi treguar, kemi vërtetuar që është e mundur t’i bësh ballë dhe të fitosh mbi një armik që duket se është një nga më të fuqishmit në botë, më të fortit në botë. Çdo komb mund t’ia dal mbanë me mbrojtje dhe të fitojë, kur kombet e ndryshme bashkëpunojnë dhe njerëzit e tyre janë të motivuar për rezistencë. Ne propozojmë që të gërshetojmë pikërisht këto lloj përpjekjesh tona dhe të fuqizojmë ato. Jemi krenarë që kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes që operojnë, funksionojnë në Ukrainë në fusha të ndryshme dhe secila prej tyre shton fuqinë tonë. Por nuk mjafton kjo të fitojmë mbi Putinin, ne shikojmë probleme edhe në ofertën sa i përket municioneve, të cilat ndikojnë në situatën tonë në fushën e betejës”, përfundoi ai.

Në hapje të këtij samiti, ai propozoi që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit.

Liderët do të diskutojnë për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Ky samit po mbahet me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku po merr pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Po ashtu, edhe udhëheqës të Ballkanit Perëndimor, ku Kosova po përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani.


Rama për Samitin: Tryezë e përbashkët e vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në hapje të punimeve në Tiranë të Samitit Ukrainë – Europa Juglindore, e konsideroi këtë një tryezë të përbashkët të vendeve që kanë zgjedhur të shohin nga e ardhmja.

Në nisje të punimeve të samitit u shfaq një video me mesazhe solidarizuese të liderëve botërorë për Ukrainën.

Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen e të gjithë liderëve në këtë samit.


Shqipëria dhe Ukraina firmosin traktatin e miqësisë

Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të vjen bashkë me fitoren e saj në luftën ndaj Rusisë.

Osmani, në margjinat e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë, tha para mediave se Kosova do të vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës, kundër agresionit ushtarak rus.

Ajo iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë të bëjmë. Me mirëkuptimin e plotë se Ukraina është në një gjendje të jashtëzakonshme, gjendje lufte, duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e saj dhe vlerat demokratike. Jam e bindur se ai moment do të vjen bashkë me fitoren e Ukrainës”, tha ajo.

Osmani bëri të ditur se në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në mbështetje të Ukrainës.

“Sot në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në këtë drejtim, së bashku me aleatë dhe partnerë. Do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, tha Osmani.

E pyetur për mundësitë e një ballafaqimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në këtë Samit, Osmani tha se gjithmonë do të ketë të tilla, pasi sipas saj Vuçiq jeton me të kaluarën.

“Gjithmonë do të kemi ballafaqime me ta pasi ata jetojnë me të kaluarën”, theksoi Osmani.


Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

Liderët e shteteve të Evropës Juglindore kanë filluar të mbërrijnë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë.

Fillimisht kanë mbërritur dy nikoqirët e samitit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilët po mirëpresin homologët e tyre.

E para që arriti ishte presidentja e Moldavisë, e pasuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani, iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

“Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë, do ta vazhdojmë ta bëjmë, por me mirëkuptimin e plotë për situatën ku është Ukraina. Jam e bindur se ai moment do të vijë, bashkë me fitoren e Ukrainës”, theksoi ajo.


Zelensky i dorëzon Ramës çmimin “Yaroslav i Urti’’

Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky i ka dorëzuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama çmimin “Yaroslav i Urti’.

Ky çmim iu është ndarë me vendimin e Presidentit të Ukrainës për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetje.

Shqipëria dhe Ukraina kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit që përforcon dhe promovon miqësinë mes të dy vendeve.

Ujdinë e firmosën kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pas takimeve bilaterale, dy liderët do të marrin pjesë në Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë.

Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Pjesë e këtij samiti do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.


Shqipëria dhe Ukraina firmosin traktatin e miqësisë

Shqipëria dhe Ukraina kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit që përforcon dhe promovon miqësinë mes të dy vendeve.

Ujdinë e firmosën kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pas takimeve bilaterale, dy liderët do të marrin pjesë në Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë.

Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Pjesë e këtij samiti do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.


Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, ka udhëtuar për Tiranë për ta përfaqësuar Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore.

Në këtë Samit, Presidentja Osmani do të jetë krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore.

“Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Nga ky samit, parashihet t`i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën, si dhe të diskutohet ndihma konkrete e shteteve të EJL-së për Ukrainën.


Zelensky pritet në takim nga Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në takim presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Rama dhe Zelensky do të kenë takim fillimisht kokë më kokë dhe më pastaj do të takohen dy delegacionet shtetërore.

Zelensky po qëndron sot në Tiranë, ku pritet të mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, në të cilin pjesëmarrëse është edhe presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky për herë të parë po viziton Shqipërinë. Ai ka mbërritur në tokën shqiptare mbrëmë, ku është pritur nga ministri Igli Hasani dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, ndërsa sot merr pjesë në samitin për Ukrainën


Hasani: Plani me 10 pika i presidentit Zelensky, është mundësia më realiste për arritjen e paqes

Ministri Igli Hasani, tha se Ukraina ka qenë përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare.

“Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti. Diskutuam për avancimin e marrëdhënieve të mira Shqipëri-Ukrainë.

Në fokus të bisedës, ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën. Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes ekonomike. Ukraina është e vendosur që e ardhmja e saj të jetë në krah lirive evropiane.

Uroj që ky samit, të jetë frytdhënës dhe të ofroj perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës”, tha Hasani në konferencën e përbashkët me ministrin e Jashtëm të Ukrainë, Dmytro Kuleba.

Sipas, Hasanit, plani me 10 pika i presidentit Zelensky, është mundësia më realiste për arritjen e paqes në konfliktin me Rusinë.

“Plani me 10 pika i presidentit Zelensky, mundësia më realiste për arritjen e paqes. Bashkë me aleatët, të angazhuar për realizimin e Pikës 5 për “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës. Ukraina, përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare. Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti”, tha Hasani.

Nga ana tjetër ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba e konsideroi Shqipërinë si një vend mik.


​Samiti në Tiranë, Zelensky: Do të diskutojmë edhe për çështjen e Kosovës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Tiranë, ku sot mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, do të diskutojnë për çështjen e Krimesë, Kosovës dhe mbështetjen për Ukrainën.

Ai ka shkruar në X, se Shqipëria është një vend i pasur, andaj shpreson në pjesëmarrjen e saj financiare në forcimin e demokracisë dhe lirisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky për herë të parë po viziton Shqipërinë. Ai ka mbërritur në tokën shqiptare mbrëmë, ku është pritur nga ministri Igli Hasani dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, ndërsa sot merr pjesë në samitin për Ukrainën.

Në samit do të jenë të pranishëm Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, Presidentja e Moldavisë Maia Sandu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo, Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.

Tirana mirëpret për herë të parë një Samit më datë 28 shkurt, dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë nga dy vjetori i nisjes së agresionit rus në Kiev. Ndërkohë agjenda e takimeve të presidentit Zelensky nis në orën 09:00 me kryeministrin Edi Rama ku do të mbahet pritja zyrtare me nderime në bulevardin “Deshmoret e Kombit” , për të vijuar takimin kokë më kokë në kryeministri, punimet e samitit në pallatin e Kongreseve dhe konferenca e përbashkët me Ramën.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre 2 ditëve.

Në zbatim të detyrave ligjore, si dhe duke shfrytëzuar përvojën pozitive të fituar gjatë planifikimit, organizimit dhe menaxhimit të situatës së rendit dhe sigurisë publike, gjatë aktiviteteve të tjera ndërkombëtare të zhvilluara më parë në Tiranë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve dhe ambientet ku do të zhvillohen aktivitete gjatë Samitit për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, që zhvilllohet më datë 28 dhe 29 shkurt.

Për sa i përket qarkullimit të automjeteve, masat kufizuese do të jenë si më poshtë: Më datë 27.02.2024, do të ketë bllokime të rrugëve me afat të shkurtër kohor, për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat e tjera të kalimit kufitar në drejtim të Tiranës, në varësi të kohës së lëvizjes së tyre; Më datë 28.02.2024, nga ora 07:00 deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në aktivitetet e organizuara për Samitin, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi, duke filluar nga aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit; Më datë 28.02.2024, do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në fashat orare 08:00-11:00 dhe 15:30-17:30, nga aeroporti i Rinasit deri te ish-sheshi “Shqiponja dhe anasjelltas – Unaza e madhe perendimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”; Më datë 29.02.2024, nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar – Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”;

Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29.02.2024, konkretisht: Rruga “Dervish Hima” nga Rruga e Elbasanit deri tek Coin; Rruga “Papa Gjon Pali II”, nga RTSH deri tek Coin; Rruga “Abdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca; Rruga “Ukraina e lirë”, nga Gjykata Kushtetuese deri tek Vila 30; Rruga “Themistokli Gërmenji”, nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Faik Konica”, nga degëzimi i Ambasador 3 deri tek rruga “Dervish Hima”; Rruga “ Gjergj Filipi”, sheshi “Italia”, nga rruga “Faik Konica” deri tek hotel “Mariot”; Blevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”;

Për qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 28 dhe 29.02.2024, gjatë fashës orare të bllokimit të rrugëve, do të ndjekin përkatësisht drejtimin: Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim; Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim; Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar.

Hyrja e gazetarëve, e automjeteve të mediave të akredituara nga shërbimet e sigurisë, si dhe e të ftuarve në Samit, do të bëhet nga rruga “Ismail Qemali” – RTSH – bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- porta fundore e kontrollit të shërbimeve të Gardës së Republikës. Për banorët dhe automjetet që gjenden në rrugët dhe blloqet e banimit, brenda perimetrit të sigurisë dhe rrugëve me bllokime të gjata në kohë, në varësi të agjendës së delegacioneve, me miratimin e drejtuesve të shërbimeve, do të lejohen të hynë dhe dalin, përkatësisht nga: a)Blloku i banimit tek “Ambasador 3”, nga rruga “Sheh Ahmet Pazar” ose Faik Konica; b) Blloku i banimit në rrugët “Themistokli Gërmenji”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu” dhe “Papa Gjon Pali II”, në drejtim hyrës dhe dalës drejt Rrugës së Elbasanit; c)Blloku i banimit tek dy kullat në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Ukraina e lirë”, në drejtim hyrës dhe dalës të kufizuar nga shërbimet e sigurisë dhe dalje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas kthim i detyruar drejt bulevardit “Bajram Curri”; d)Rruga “Lek Dugagjini” (para Universitetit) duke vijuar në rrugën “Faik Konica” (pas stadiumit), me dalje në Rrugën e Elbasanit, do të jetë e lirë për kalimin e mjeteve dhe qytetarëve (përjashto rastet kur ka kufizim në Rrugën e Elbasanit).

Për zbatimin e këtyre masave janë angazhuar Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë Rrugore, në koordinim dhe drejtim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Njëkohësisht, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim sundimin e ligjit në territor. Policia e Shtetit shprehu besimin se qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve do të mirëkuptojnë masat e përkohshme kufizuese, do të ndjekin dhe do të zbatojnë udhëzimet e Policisë, pasi masat e marra janë në funksion të rendit, të sigurisë dhe të rritjes së imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.


​Zelensky mbërrin në Tiranë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky për herë të parë po viziton Shqipërinë. Ai ka mbërritur në tokën shqiptare mbrëmë, ku është pritur nga ministri Igli Hasani dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, ndërsa sot merr pjesë në samitin për Ukrainën.

Tirana mirëpret për herë të parë një Samit më datë 28 shkurt, dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë nga dy vjetori i nisjes së agresionit rus në Kiev. Avioni i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky u ul në aeroportin e Rinasit në orën 23:00, të mbrëmjes së të martës, 27 shkurt. Ai u prit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe ministrja Elisa Spiropali dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë Shkurov.

‘Një moment kyç për nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe solidaritet me Ukrainën në luftën e saj heroike kundër agresionit të Rusisë’, e cilësoi ministri i jashtëm Igli Hasani.

Ndërkohë agjenda e takimeve të presidentit Zelensky nis në orën 09:00 me kryeministrin Edi Rama ku do të mbahet pritja zyrtare me nderime në bulevardin “Deshmoret e Kombit” , për të vijuar takimin kokë më kokë në kryeministri, punimet e samitit në pallatin e Kongreseve dhe konferenca e përbashkët me Ramën.

Back to top button