Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit në rastin “Medicus”

Lutfi Dervishi e Sokol Hajdini deklaruan se janë të pafajshëm

Pasi Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim Rastin “Medicus” në janar të këtij viti, ka nisur përsëri gjykimi i Lutfi Dervishit, djalit të tij Arbanit dhe mjekut anesteziolog Sokol Hajdini.

Lutfi Dervishi akuzohet për veprën penale trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, derisa Sokol Hajdini akuzohet për lëndime të rënda trupore. Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja ndërkombëtare Valeria Bolici, dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

“Unë ndihem absolutisht i pafajshëm”, tha Dervishi për të dy veprat penale. “Absolutisht i pafajshëm”, ishte edhe deklarimi i të akuzuarit Hajdini, raporton Kallxo.com

Prokuroria ngarkon Dervishin se 24 persona, janë rekrutuar nga vendet e jashtme dhe transportuar për heqjen e organeve në klinikën e tij. Këto operacione ishin bërë nga një grup i kirurgëve dhe anesteziologëve në klinikën “Medikus”, pronë e Dervishit.

Në dispozitivin e lexuar nga prokurorja Bolici, thuhet se viktimave u ishin premtuar një shumë e caktuar e të hollave në këmbim të veshkave, por disa prej tyre nuk kishin përfituar asgjë, e disa nga ta më pak se që u ishte premtuar.

Më tej, prokurorja Bolici tha se duke filluar nga marsi i vitit 2008 janë bërë 48 operacione në klinikën në fjalë. Në këtë proces gjyqësor, i akuzuar është edhe djali i Lutfi Dervishit, Arban Dervishi, i cili aktualisht gjendet në arrati. Ai ngarkohet me të njëjtat vepra si babai i tij, derisa ishte menaxher i Klinikës “Medicus”.

Në vitin 2013 urologu Lutfi Dervishi, djali i tij Arbani dhe mjeku anesteziolog Sokol Hajdini ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Back to top button