Delegacioni i BQK-së deklarohen pas takimit në Bruksel

(Lajm i përditësuar)

Delegacioni i BQK-së deklarohen pas takimit në Bruksel

Banka Qendrore e Kosovës është deklaruar pas takimit në Bruksel, ku thotë se me sugjerim të BE’së kanë takuar palën serbe.

Në komunikatë thuhet se nuk është vë në diskutim autoriteti kushtetues dhe ligjor i këtij institucioni nga Bashkimi Evropian, por se janë ngritur brengat për ndikimin e mundshëm te qytetarët serbë.

BQK thotë se kanë elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë “për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi”.

“Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”, thuhet në komunikatën e BQK-së.


Përfundon takimi trepalësh për dinarin në Bruksel

Ka përfunduar në Bruksel  takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.


Përfundojnë takimet e Lajçakut me delegacionin e Kosovës dhe atë të Serbisë

Në Bruksel kanë përfunduar takimet e ndara mes emisarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Sipas BE-së, ky vendim ka shkaktuar probleme praktike për komunitetin serb në Kosovë, të cilët kanë përdorur dinarin serb dhe me këtë valutë kanë marrë ndihmë nga Serbia.

Lajçak fillimisht u takua me delegacionin serb, të udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq. Më pas, emisari evropian u takua me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Kosova nuk ka dashur që në këtë takim të dërgojë nivel politik sepse beson se çështja e rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme nuk duhet të jetë temë e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Pas përfundimit të takimeve dypalëshe të Lajçakut me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet nëse do të ketë një takim trepalësh.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili njëherësh është edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, nuk ishte pajtuar që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut. Kjo, pasi Qeveria e Kosovës e konsideron këtë gjë si çështje të brendshme për të cilën kompetenca të pavarura ka BQK-ja./rel


Çështja e dinarit, delegacioni serb në takim me Lajçakun që nga ora 10:00

Ka filluar takimi i Lajçakut me delegacionin e Beogradit pak pas orës 10:00, në ndërtesën e EEAS-it, një takim me dy grupe ndërmjet drejtorit të zyrës së ashtu quajtur për Kosovën, Petar Petkoviq dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Më vonë gjatë ditës, delegacioni i Beogradit pritet të marrë pjesë në një takim me Lajçakun dhe ekipin e tij.

Delegacioni nga Beogradi përfshin përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankës Poštanska Štedionica, transmeton Tanjug.


Sot në Bruksel diskutohet për dinarin

Presioni ndërkombëtar duket se ka dhënë efekt për çështjen e dinarit. Kjo temë të martën do të diskutohet në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës refuzoi të dërgojë përfaqësuesin e saj politik, ndërkaq në këtë takim përballë kryenegociatorit të Serbisë do të jetë përfaqësuesi i Bankës Qendrore të Kosovës.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro)”.

BE-ja konfirmoi se Kosova dhe Serbia do të bisedojnë modalitetet për të gjetur një zgjidhje për dinarin,  në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimin e fundit për qarkullimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës. Takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut. Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre“., tha Nabila Masralli , zëdhënëse e BE-së.

Analisti politik, Visar Xani, e quan gabim strategjik që çështja e dinarit është bërë temë ndërkombëtare. Sipas tij, presioni ndërkombëtar e ka vendosur këtë temë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

‘’Në aspektin strategjik nuk është në favor për Kosovën për shkak se ka rritur presionin ndërkombëtar. Do të duhej që si Kosovë të trajtohet në mënyrë strategjike përpara se fvendimi i BQK-së të trajtohet si vendim juridik”, tha Xani për rtv21

Analisiti Xani, nuk pret një zgjidhje afatgjate për çështjen dinarit gjatë bisedimeve në Bruksel me palën serbe.

“Për të diskutuar në thelb për zbatimin  e vendimit për dinarin do të ishte i dëmshëm. Më e favorshme do të ishte shtyrja e vendimit sesa të diskutohet mënyra e zbatimit të tij me Serbinë”.

Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se për çështjen  e dianrit duhet të gjendet zgjidhja brenda institucioneve të Kosovës./RTV21/21Media

Back to top button