Dënohet me 2 vjet burg ish-kryeprokurori Llalla

 

Kërkesa e avokatit për pafajësi nuk e bindi Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, e cila vendosi dënimin me dy vjet burg për ish- kryeprokurorin Adriatik Llalla. Përveç shpalljes së tij fajtor, togat e zeza vendosën edhe konfiskimin e pesë pasurive të ish- zyrtarit të lartë, përfshirë një apartament dhe katër sipërfaqe arë.

Avokati i Llallës kërkoi para vendimit shpalljen e pafajshëm të klientit të tij me argumentin se nuk ka fshehur pasurinë.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion në shkallën e parë ka dënuar me dy vjet burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke i ndaluar atij ushtrimin e funksioneve publike për 5 vjet.

Ish-drejtuesi i organit të akuzës u paraqit në seancë bashkë me avokatin e tij Sokol Hazizaj, i cili kërkoi pafajësi duke e cilësuar hetimin tendencioz.

Mbrojësi ligjor tha se në vitin 2016 Adriatik Llalla mori para borxh për të çuar familjen në Gjermani për shkak të kërcënimeve për shkak të detyrës.

Sipas avokatit, Llalla në asnjë moment nuk ka fshehur pasuri që kur ka qenë subjekt deklarimi, ndërkohë që për shumën rreth 7 mijë dollarë, e cila është përdorur për lindjen e djalit në SHBA, pagesat janë bërë nga një mik shqiptaro-amerikan, i cili dëshmoi para gjykatës.

Avokati më tej dorëzoi faturat origjinale të pagesave në bankë.

Pas konkluzioneve të mbrojtjes, gjykata është tërhequr për vendim duke bërë të ditur se verdikti do të shpallej në ora 13.30.

Megjithatë me disa minuta vonesë, trupi gjykues u rikthye në sallë dhe shpalli vendimin duke pranuar pretencën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për dënimin e Adriatik Llallës me dy vjet heqje lirie.

Back to top button