Dënohet me burg të përjetshëm burri që ekzekutoi me kallashnikov gruan e tij
Dënohet me burgim të përjetshëm Koço Buzo, ish efektivi i policisë që ekzekutoi me kallashnikov gruan e tij Liljana Buzo.
Koço Buzo i cili në muajin Maj 2021, ekzekutoi me automatik në sy të fëmijëve gruan e tij Liljana Buzo. Ai u deklarua fajtor për vrasje.
Ish-efektivi Koço Buzo, vrapoi pas bashkëshortes së tij, e cila ishte e shoqëruar nga djali i saj dhe e qëllon atë nga mbrapa.
Menjëherë në këtë moment, ndërhyn një nga personat që ka qenë me 54-vjeçaren dhe i kapin armën, teksa ndodh një përplasje fizike mes të dyve.
Plumbat kapën edhe dy kalimtarë të rastësishëm, njëri prej tyre me profesion avokat, të dy jashtë rrezikut për jetën.
Koço Buzo, armën e mbante në një çantë sportive dhe sipas informacioneve policore, ishte nisur për të hyrë drejt e në sallën e gjyqit, ku dhe kishte planifikuar të kryente vrasjen e gruas, pikërisht brenda ambienteve të gjykatës.
Vrasja e gruas nga bashkëshorti ish-efektiv policie në Elbasan, ka qenë një krim i paralajmëruar. Që prej vitit 2020, viktima Liljana Buzo kishte denoncuar të shoqin Koço Buzo për dhunë e kërcënime të vazhdueshme.
Presioni verbal i ish-policit kishte arritur deri aty sa kishte kërcënuar të shoqen me vrasje ndërkohë që viktima sa herë që keqtrajtohej nga i shoqi, largohej nga banesa teksa fshihte edhe shenjat e dhunës që të mos i shikonin fëmijët.
Ky është një nga kërcënimet sistematike që Liljana Buzo, merrte vazhdimisht nga bashkëshorti i saj, Koço Buzo, ish-polic që ka shërbyer si roje pranë gjykatës së Elbasanit.