Departamenti i Shtetit nuk i pohon as mohon raportimet për bllokim të anëtarësimit të Kosovës në KE

(Lajm i përditësuar)

Departamenti i Shtetit Amerikan ka mohuar t’i komentojë raportimet e sotshme ku thuhej se shtete të Bashkimit Evropian, anëtare të Këshillit të Evropës, kanë pranuar nota nga ambasadat amerikane, për të mos e futur çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill, pa e marrë një qëndrim konstruktiv për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në edicionin serbisht, DASH ka deklaruar se qëndrimi amerikan ndaj ASK-së në Kosovë është i qartë.
“Siç kanë thënë këshilltari Derek Chollet dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobat në një artikull të përbashkët – tani është koha për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e DASH për VOA.
Euronews: SHBA kërkoi që Kosova të mos futet në agjendën e KE për shkak të Asociacionit
Edicioni në gjuhën serbe i “euronews” raporton sot se SHBA-ja ka kërkuar që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të mos vendoset në agjendë shkaku i qëndrimit për Asociacionin.
Euronews bazuar në burimet e veta diplomatike ka raportuar sot se ministrat e jashtëm të disa shteteve të BE-së që janë anëtare të Këshillit të Evropës kanë marrë një shkresë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të cilën thuhet se Washingtoni “konsideron se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës s’duhet të vendoset në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës”.
Siç mëson Euronews, kjo kërkesë e SHBA-së është e vlefshme derisa “Kosova të marr një pozicion më konstruktiv sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Këto shtete thuhet të jenë Italia, Franca dhe Gjermania.

Back to top button