Deputetët vizitojnë stacionin e Policisë në Zubin Potok

Deputetë e Kuvendit të Kosovës për herë të parë vizituan stacionin e Policisë në Zubin Potok

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, i kryesuar nga Ganimete Musliu, zëvendëskryetare e Komisionit, realizoi sot një vizitë pune në Stacionin Policor në Zubin Potok, ku u prit nga komandanti i stacionit, Zvezdan Milojeviq, me bashkëpunëtorë.

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër me kushtet e punës, sfidat në punët e përditshme në ushtrimin e detyrave policore, si dhe për zbatimin e Ligjit për Policinë e Kosovës.

Komandanti i stacionit, Milojeviq, theksoi nevojën për përmirësimin e kushteve të punës si dhe për avancimin e teknologjisë e të mjeteve të punës.

U bë e ditur, po ashtu, se kjo është vizita e parë e realizuar nga zyrtarë të lartë shtetërorë.

Nga ana e anëtarëve të Komisionit u theksua se kërkesat e paraqitura në këtë takim do të adresohen tek autoritetet kompetente, me qëllim të funksionimit sa më të mirë të Policisë së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës.

Back to top button