Deputeti i LVV-së: Plani franko-gjerman nuk është në fazën e njoftimit të Kuvendit

Deputeti i LVV-së: Plani franko-gjerman nuk është në fazën e njoftimit të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare gjatë kësaj jave. Të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ku pritet të diskutohet për Projektligjin buxhetin për vitin 2023, ndërsa të premten do të trajtohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara, mes tyre edhe debati parlamentar për shëndetësinë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos për seancat plenare, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, bëri të ditur se është orientuar agjenda edhe për seancën plenare të 24 nëntorit, ku do synohet votimi i dy kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
“Kryesia mori vendim që këtë javë të kemi dy seanca, të enjten seancë plenare, ndërsa të premten, vazhdim i pikave të papërfunduara nga seancat e mëhershme. Ndërkohë që po ashtu diskutoi dhe orientojë rendin e ditës për seancën e 24 nëntorit të javës tjetër. Natyrisht, të enjten do të kemi vetëm Projektligjin për buxhetin për vitin 2023, natyrisht përveç pyetjeve parlamentare dhe atyre jashtë rendit të ditës. Pastaj të premten do të kemi një diskutim për gjendjen në shëndetësi dhe disa projektligje të mbetura”, tha ai.
Rrustemi për planin franko-gjerman tha se i njëjti nuk është në fazën e njoftimit të Kuvendit të Kosovës..
“Nuk është në fazën e njoftimit të Kuvendit të Kosovës, ne kemi informacione për aq sa është diskutuar në publik, vlerësimit dhe deklarimit të kryeministrit në rastin konkret”, tha Rrustemi.

Back to top button