Deputeti i VV-së i përgjigjet Hovenierit: Drafti i BE-së nuk do të dërgohet në Kushtetuese

Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, tha se qeveria nuk do ta dërgojë draftin e BE-së për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe për vlerësim në Gjykatë Kushtetuese. Ai për rtv21 tha se në thelb ky draft është problematik dhe jo ashtu siç po e thonë ndërkombëtarët.
Kjo deklaratë pasoi kërkesën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier që qeveria të lëvizë përpara me Asociacionin duke e dërguar draftin e BE-së në Kushtetuese.
“Fillimisht është arbitrazhi dmth njëra prej temave aty është goxha problematike…Pastaj është çështja e financimit të arsimit, të shëndetësisë si sektor privat me buxhetim prej Serbisë dmth ka shumë probleme brenda, nuk po them që ka kompetenca ekzekutive ka ndoshta diku diku kompetenca të deleguara por është goxha problematik në vetëvete dhe në këtë sens nuk është ashtu siç po e thonë ata, me vjen keq. Jo absolutisht(nuk do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese) jo drafti që po flitet”, tha Rexhaj për rtv21.
Rexhaj nuk bëri të ditur nëse qeveria do ta hartojë vetë një draft statut të Asociacionit.
“Ajo (ofertë) ka qenë ka momentum i asaj kohe, sa zemërgjerë mund të jetë në të ardhmen Kurti dhe ministrja e Jashtme është çështje tjetër, ajo(ofertë) ka qenë në atë moment, ai moment ka ikur s’mund të kthehet, s’mund ta kthejmë kohën mbrapsht”, tha Rexhaj për rtv21.
Duke folur për mosanëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si pasojë e Asociacionit, deputeti Rexhaj tha se beson se shtetet demokratike të BE-së do ta kenë parasysh që Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
“Ajo që ka bërë ministrja e jashtme momentet fundit ka thënë që ne mund të bëjmë një draft i cili si model ka modelin kroat nuk janë pajtuar as më atë prandaj ne nuk mund shkojmë tutje të vazhdojmë në rrugën e tyre që kanë vazhduar me koncesione koncesione dhe kanë përfunduar pastaj pa hiç gjë. Kemi kaluar asamblenë parlamentare, jemi në hapin e tretë dhe të fundit besoj që shtetet demokratike të BE-së do ta kenë parasysh që Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”./RTV21/21Media