“Der Spiegel” raporton për një skandal të ri

Gjermania ka spiunuar Shtëpinë e Bardhë?

Shërbimi gjerman i inteligjencës për vite me radhë ka spiunuar një numër të madh të zyrtarëve dhe bizneseve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë këtu edhe Shtëpinë e Bardhë, ka raportuar sot revista gjermane, Der Spiegel .

Revista qartësoi se ka pasur qasje në dokumente, të cilat dëshmojnë se shërbimi i inteligjencës, BND, ka pasur një liste me 4 mijë adresa për vëzhgim nga viti 1998 deri në vitin 2006.

Në mesin e këtyre adresave ishin edhe numrat telefonik apo numrat e faksit, si dhe adresat elektronike në Shtëpinë e Bardhë, si dhe ato të zyrtarëve financiar dhe diplomatëve amerikanë.

Caqet tjera, të cilat kanë qenë nën mbikëqyrje, janë edhe institucionet ushtarake, NASA dhe organizata Hjumen Rajts Voç. Shërbimi BND nuk pranoi të komentoi këtë raport të revistës.
Siç dihet, Gjermania në vitin 2013 pat protestuar ashpër, kur Eduard Snouden publikoi të dhënat për aktivitetet amerikane të spiunazhit nëpër botë, përfshirë këtu edhe përgjimin e telefonit mobil të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel.

Merkel disa herë ka deklaruar se spiunazhi ndërmjet miqve është një praktikë e papranueshme, por qartësoi se Berlini edhe më tutje mbështetet te Uashingtoni kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë./21Media

Back to top button