Deputetët zgjodhën zëvendësministrat e ri

VMRO-DPMNE lëshon sallën e Kuvendit

Pas 6 orëve debat në Kuvend in e Maqedonisë kaloi propozimi për emërimin e zëvendës ministrave në Qeverinë e re. Propozimi i emrave të zëvendësministrave të ri nga Zoran Zaev ngriti reagim të ashpër nga deputetët e VMRO DPMNE-së, të cilët në kohën e votimit lëshuan seancën. Për zëvendësministrat e rinj gjithsej votuan 67 deputetë prej të cilëve 62 ishin pro, 5 të përmbajtur dhe asnjë kundër. Kryeministri Zoran Zaev tha se është i bindur se janë personat e vërtetë të cilët do të punojnë në dobi të qytetarëve.

“Atë që dua ta dinë të gjithë deputetët është se Kuvendi është ai që zgjedh dhe Kuvendi është ai që shkarkon. Unë sot propozojë kandidatë për të cilët jam i bindur se do të punojnë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjin, që me dashuri dhe motivim të thellë do ta kryejnë funksionin e tyre, në një mënyrë të hapur dhe transparente para syve të të gjithë opinionit tonë dhe para syve të Kuvendit”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i RM-së, shkruan TV21.TV

Mirëpo pas fjalimit të tij menjëherë reaguan deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ata njëzëri kundërshtuan këto propozime e në veçanti kandidimin e Arta Toçit për ministre të punëve të jashtme. Opozitarët e Vmro DPMNE-së thonë se Toçi ka kundërshtuar emrin kushtetues të Maqedonisë dhe se është e qëndrimit se Maqedonia perëndimore i takon Shqipërisë. Propozimin e Arta Toçit deputetët e VMRO-së e quajtën skandaloz.

“Po flas për propozimin e kryetarit të Qeverisë që është skandaloze që ta propozojë për zëvendës ministër të punëve të jashtme, zonjën e cila vlerëson se Maqedonia perëndimore duhet t’i takoj Shqipërisë. Vlerësimi i tillë jo vetëm që është skandaloz por e rrit mosbesimin mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, tha Antonio Milloshevski, nga VMRO-DPMNE.

Në mbrojtje të Toçit doli deputeti i BDI-së Xhevat Ademi.

“Profesor Arta Toçi një emër i nderuar, një familje e respektuar ndër shqiptarët. Më besoni krijoni amonizitet te shqiptarët nëse teza kryesore e kundërshtimit është se një intelektual shqiptar, një studiues shqiptar, një profesor shqiptar në mënyrë besnike në trajtesën shkencore përcjell fakte histeriografike. Të nderuar të dalim prej atyre floskulave ku kemi hyrë”, tha Xhevat Ademi, nga BDI.

Deputeti Fadil Zeneli i Rilindjes me Besë theksoi ata nuk janë pjesë e debatit për zgjedhjen e zëvendës ministrave dhe për këtë arsye votuan të përmbajtur.

Kandidatët për zëvendës ministra në Kuvend u zgjodhën: Për zëvendësministër të Mbrojtjes është zgjedhur Bekim Maksuti, për zëvendësministër të Punëve të Brendshme Agim Nuhiu, i Drejtësisë Oliver Ristovski, zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme Arta Toçi, e Financave Shiret Elezi, ndërsa i Ekonomisë Kire Naumov.

Vllaste Dimkoviq është zgjedhur zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Goce Çakarovski i Shëndetësisë, Visar Ganiu i Arsimit dhe Shkencës, Elmi Aziti i Punës dhe Politikës Sociale, Dejan Pavleski i Vetëqeverisjes Lokale, Vlladimir Lazovski i Kulturës. Aleksandar Bajdevski i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Remzi Mehmedi i Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa Jani Makraduli i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor./21Media

Back to top button