Deri në 40 mijë përdorues të drogave në Kosovë

Numri i përdoruesve të drogave në Kosovë është rritur, ndërsa institucionet shëndetësore janë të kufizuara në trajtimin e këtyre rasteve. Sipas të dhënave të organizatave, janë deri në 40 mijë përdorues të drogave në vend, ndërsa i përkasin grup moshave të reja. Por shteti nuk e di numrin e saktë të përdoruesve të drogës.
Në tryezën e organizuar për Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të paligjshëm nga Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës (APK) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës ku u diskutua kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave, u tha se në rritje është edhe numri i atyre që përdorin drogën në nivel botëror.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e pranoi se kapaciteti aktual i institucioneve shëndetësore ku trajtohen këto raste është i kufizuar.
“Aktualisht në Kosovë nuk ka vlerësime gjithëpërfshirëse për të dhëna përfaqësuese që flasin për numrin e saktë të përdorueseve të drogave… Organet që kanë prezantuar këto të dhëna nga institucionet e shëndetësisë që merren me këtë çështje na tregojnë se përdorimi i drogës është rritur… Numrat që janë dhënë janë 30 mijë deri në 40 mijë përdorues të drogave sa vlerësohet që janë në Kosovë nga të gjitha komunitetet dhe grup moshat e ndryshme, me dominim nga moshat e reja…. humica e drogave përdoren në shtëpi… Ne si Ministri e Shëndetësisë jemi të vetëdijshëm që kapaciteti aktual i institucioneve shëndetësore ku trajtohen personat e tillë të cilët kanë abuzuar dhe janë viktimë e abuzimit të drogave në kuptim të trajtimit janë shumë të kufizuara”, tha ai.
Jusuf Ulaj, këshilltar për shëndetësi i kryeministrit, tha se nuk ka statistika të sakta të përdoruesve të drogave, por u shpreh se çdo ditë ballafaqohemi me të rinj të varur nga droga, dhe me familje që janë të shkatërruara sepse brenda tyre kanë një abuzues të drogave.
“Përpara na vinin kryesisht prej qyteteve, prej vendeve urbane, ndërsa sot fatkeqësisht kur vinë disa raste prej fshatrave të largëta, është e tmerrshme kur dëgjon që në fshatra mblidhen të rinjtë dhe përdorin mariuana nëpër fshatra, të mos flasim nëpër qytete. Po ashtu ajo që e vërejmë edhe pse të dhëna të sakta statistikore fatkeqësisht nuk kemi, edhe me e keqe është se kohët e fundit është rrit numri i abuzuesve nga kokaina që janë edhe shumë më problematike, dhe për fat të keq të rinjtë dhe mos të themi edhe të fëmijët”, tha ai.
Valdete Alidema, kryetare e Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës, ka thënë se abuzimi me drogat sot paraqet një problem mjaft të madh social e mjekësor në të gjithë botën, e rrjedhimisht edhe Kosova.
“Me të prekur me këtë problem janë të rinjtë, të cilët shumë shpesh të shtyrë nga kurioziteti dhe në ndikimin e moshatarëve fillojnë të eksperimentojnë me droga qysh herët, duke mos ditur fare se çfarë mund të shkaktojë përdorimi i tyre. Sot të rinjtë zakonisht për drogat po informohen përmes rrjeteve sociale dhe informohen për mënyrën se si përdoret droga, pastaj në rrjete sociale ekzistojnë edhe video të cilat japin mjaftë informata për efektin pozitiv por fatkeqësisht nuk informojnë për efektet negative të përdorimit të drogave. Sipas zyrës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin në vitin 2020 gati 275 milionë njerëz përdoren drogën në mbarë botën, me 22 përqind më shumë se nga viti 2010, numri i përdoruesve të kanabisit u rrit për 18 përqind”, tha ajo./kp

Back to top button