“Sikur të isha unë 6 muaj në pushtet, Albini për 600 vjet nuk do të vinte në pushtet”, Zeka

(Lajm i përditësuar)
“Sikur të isha unë 6 muaj në pushtet, Albini për 600 vjet nuk do të vinte në pushtet”, Zeka
Milaim Zeka ka bërë deklarata të ”ashpra” ndaj Albin Kurtit, duke kritikuar veprimet e tij politike dhe duke shprehur qëndrimin e tij për mënyrën se si është qeverisur vendi.
Zeka deklaroi se, nëse do të kishte qenë në pushtet për një periudhë të shkurtër, Kurti nuk do të kishte arritur të vinte në krye të institucioneve.
“Sikur unë të isha vetëm 6 muaj në pushtet, 600 vjet Albin Kurti nuk do të kishte ardhur në pushtet, sepse do ta kisha arrestuar dhe dënuar si terrorist”, tha Zeka në ”Click”
Ai akuzoi Kurtin për veprime që, sipas tij, kanë dëmtuar institucionet dhe ka përmendur edhe përplasjet me policinë gjatë protestave dhe zhvillimeve të ndryshme.
“Ky ka bërë vetëm akte. Sa policë janë lënduar prej gurëve prej Albin Kurtit”, u shpreh Zeka.
Zeka krahason PDK-në me “baballarët e viteve ’70”: Një grua në Gjermani e një në Kosovë
Gjatë debatit për zhvillimet politike në vend në emisionin Click në RTV21, Milaim Zeka përdori një sërë krahasimesh metaforike për të ilustruar qëndrimet e tij ndaj partive politike, duke nxitur reagimin e moderatorit Arbër Vllahiu.
Duke folur për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Zeka tha se, sipas tij, kjo parti vazhdon ta mbajë në qendër të diskursit çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
“PDK ju përngjan baballarëve tanë në vitet e ’70 që e kishin një grua në Gjermani e një në Kosovë. PDK prej gjashtë vitesh po thotë: ‘Liderët tanë në Hagë’”, u shpreh Zeka.
Pas kësaj deklarate, moderatori i emisionit, Arbër Vllahiu, ndërhyri duke i kërkuar të ketë kujdes me gjuhën e përdorur.
“Duhet ta vendosim shenjën +18 në ekran, kujdes në fjalor”, tha Vllahiu.
“Më parë do të haja bojshka e lëvore lisash, se të shkoja me Albinin”, Zeka për Vjosa Osmanin
Milaim Zeka ka komentuar zhvillimet brenda partive politike në Kosovë, duke drejtuar kritika ndaj PDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Në emisionin Click në RTV21, Zeka tha se PDK-ja përballet me probleme të brendshme, por sipas tij, struktura e saj vazhdon të mbahet nga kundërshtitë politike.
“PDK ka shumë probleme të brendshme, por fati që e mban gjallë PDK-në është inati, inati karshi kundershtarëve. Këta të PDK-së, duke pasur inatin e zi, po e mbajnë strukturën, përndryshe kaqamak është”, deklaroi Zeka.
Duke folur për partitë e tjera, Zeka kritikoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke e krahasuar mënyrën e udhëheqjes së saj me figura historike.
“VV-në e udhëheq Homeini. Homeini është Albin Kurti”, tha ai.
Zeka foli edhe për LDK-në dhe zhvillimet brenda saj, duke kritikuar drejtimin aktual të partisë dhe disa nga figurat e saj politike.
Ai komentoi edhe figurën e presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ngritja e saj politike, sipas tij, është ndërtuar mbi kritika dhe përplasje me figura të tjera.
“Me përpara kisha hëngër bojshka, lëvore të lisave, sesa me shku me Albin Kurtin, duke e ditur që Albin Kurti ka qenë armiku më i madh i Ibrahim Rugovës”, u shpreh Zeka.
“Po i them me emra”, Zeka: Deputetët e LVV-së janë bukëpogaçe të PDK-së
Milaim Zeka në ”Click” të RTV21 ka bërë deklarata të forta në adresë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se një pjesë e madhe e deputetëve të kësaj partie kanë pasur lidhje të mëhershme politike me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Zeka përdori termin “bukëpogaçe” për të përshkruar, sipas tij, raportin që disa figura të LVV-së kanë pasur me PDK-në në të kaluarën.
“Pjesa dërrmuese e deputetëve të LVV-së, deri te Glauk Konjufca, janë bukëpogaçe të PDK-së. T’i them me emra, prej Rexhep Selimit, që në Hagë është gatuar nga PDK-ja e i AAK-së, e deri te Glauk Konjufca e Hydajet Hyseni”, deklaroi Zeka.
“Dëshira e Kurtit është për ta shkokërdhu këtë popull”, Zeka
Milaim Zeka në ”Click” të RTV21 ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se është përgjegjësi kryesor për bllokimin e procesit të formimit të institucioneve të reja në Kosovë.
Zeka deklaroi se, sipas tij, opozita nuk është pengesa për krijimin e institucioneve, por se përgjegjësia bie mbi Kurtin.
“I vetmi njeri që po i mbyll dyert për formimin e institucioneve të Kosovës është Albin Kurti. Opozita nuk ka faj”, tha Zeka.
Ai kritikoi edhe presidenten Vjosa Osmani, duke pretenduar se gjatë qeverisjes së Kurtit ajo ka qenë mbështetësja e tij më e fortë.
“Nëse një herë është i keq Albin Kurti, Vjosa Osmani është 100 herë”, u shpreh ai.
Sipas Zekës, vendi nuk është drejt një zgjidhjeje politike, por mund të shkojë në zgjedhje të reja gjatë muajit nëntor.
“Nuk po shoh zgjidhje, por zgjedhje në nëntor. Kjo është dëshira e Albin Kurtit për ta shkokërdhuar këtë popull. Ka vite që këtij populli i është bllokuar truri”, deklaroi Zeka në Click të RTV21.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?