​Dëshmitari 11 vijon dëshminë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Menjëherë pasi dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) e përfundoi dëshminë pasditen e së hënës, filloi të dëgjohet dëshmitari i radhës në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve. Edhe në këtë rast po aplikohen masa mbrojtëse duke mos e shfaqur në publik identitetin e tij.

Pyetjet e para të prokurorit James Pace vijuan në seancë private, meqë siç tha ai, kanë të bëjnë me identitetin e dëshmitarit. Ai prezantoi disa dokumente në ekranin e gjykatores, por të njëjtat nuk janë bërë publike.

Dëshmitarit iu shfaq edhe deklarata që e kishte dhënë për UNMIK-un në vitin 2003 si dhe ajo e për ZPS-në në vitin 2022. Ai konfirmoi nënshkrimet e tij në këto dokumente derisa tha se është i hapur të përgjigjet për ngjarjet e vitit 1998-1999.

Pas kësaj seanca përfundoi për të vazhduar sot (e martë) me dëshminë e këtij dëshmitari i cili mban kodin 3811. Dëshmia e tij pritet të dëgjohet për një ditë e gjysmë.

Paraprakisht është dëgjuar dëshmitari 3540 i cili ka folur për periudhën e vitit 1998 kur edhe pretendon se ishe ndaluar nga UÇK. Ai ka thënë se ka punuar roje pylli kur sipas tij ishte ndaluar nga ushtarë të UÇK-së.

Fillimisht ai nuk ka thënë se ka dhënë informata për UÇK-në te autoritetet serbe por më pas mbrojtja e Thaçit, Gregory Kehoe e ka përballur atë me deklaratën që vetë e kishte dhënë për ZPS-në, ku thuhej se kishte informuar Serbinë për aktivitetet e UÇK-së.

Dëshmia ka përfunduar brenda ditës dhe është dhënë kryesisht në seancë të hapur për publikun, por me masa mbrojtëse duke mos shfaqur identitetin e tij.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, kryegjykatësi Charles Smith ka urdhëruar ZPS-në që t’i jap trupit gjykues, palëve dhe pjesëmarrësve, listën e 12 dëshmitarëve nga lista e 40 prej tyre dhe ta dorëzojë këtë deri të premten, 30 qershor 2023 në orën 16:00

Ai ka thënë se ZPS duhet gjithashtu të jap një listë të pesë dëshmitarëve që do të jenë në pritje përveç 12 dëshmitarëve të parashikuar.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Back to top button