Dëshmitari i 47 i ZPS-së pretendohet se është rrëmbyer dhe rrahur nga UÇK-ja
Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i 47-ti me radhë, ka filluar dëshminë në Dhomat e Specializuara në rastin në të cilin ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar Sarah Clanton, në përmbledhjen për dëshmitarin e prezantoi atë si banor të Prizrenit që është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.
“Dëshmitari me numër 02749 ka qenë banor i Prizrenit. Në qershor 1999 është rrëmbyer dhe rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së. Është dërguar në një ndërtesë të përdorur nga UÇK-ja ku është marrë në pyetje dhe është rrahur më pas. Gjatë ndalimit ai i ka vërejtur edhe personat e tjerë të ndaluar dhe është liruar nga një ushtar UÇK-së”, tha prokurorja Clanton.
Dëshmia e tij pritet të jetë kryesisht e mbyllur, shkaku që dëshmitari është dëshmitar i mbrojtur.