Dëshmitari: Na mbanin në ahur, bukë na jepnin dy herë në ditë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po dëgjohet dëshmitari i katërt i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Salih Mustafës i cili akuzohet për krime lufte. Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se është mbajtur në një objekt në Zllashë prej darës katër deri më 18 apo 19 prill, duke shtuar se nuk e mban mend datën e daljes nga aty.
Dëshmitari i katërt i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë duke ju fshehur identiteti dhe mban kodin W03594 ka thënë se dy persona me maska e kanë dërguar në një ahur në Zllashë dhe të njëjtit ka thënë se kanë qenë të veshur me rroba të UCK-së.
Në ahur ku pretendon se është mbajtur e keqtrajtuar, dëshmitari ka thënë se i ka gjetur edhe katër persona të tjerë.
“Unë nuk i kam parë (rojet) por kur na anë sjell bukën ose ujin mendoj që ajo ka qenë roja, brenda ditës dy herë na kanë sjell edhe ushqim edhe ujë, ujë na kanë sjellë sa kemi dasht edhe ushqimi ka qenë i mjaftueshëm, mendoj i mjaftueshëm për kohën e luftës çfarë ka qenë. Ajo ka qenë kohë lufte dhe e them me bindje të vërtetë se atë ushqim që e kanë ngrënë ata vetë na e kanë sjell të njëjtin edhe neve brenda aty”, ka thënë dëshmitari i katërt.
Dëshmitari i katër po u përgjigjet pyetjeve të prokurorit të ZPS-së.
“Kam ndejt prej 4 diku deri 18-19 nuk më kujtohet dita e saktë e daljes, më duket se ka qenë 19 prill”, ka thënë dëshmitari.
Ai është pyetur për kushtet në të cilat ka qëndruar aty.
(Kushtet) Kanë qenë çnjerëzore, kur individi hyn brenda aty trajtohet nuk e ka më ndjenjën e njeriut por barazohet me kafshë. Nuk di si mund ta përshkruaj kur njeriut papritur prej një që nuk e pret gjendet në një ahur që nuk e ka parë as ëndërr ndonjëherë në jetë”, ka thënë dëshmitari i katërt.
Në fillim të seancës, avokati i Salih Mustafës, avokati Julius Von Bone ka kërkuar që të bëhet më shumë kujdes në trajtimin e të dhënave siç janë fotografitë, që siç ka thënë ai publikohen pastaj në media.
Von Bone ka thënë se diçka e tillë mund të ndikojë në gjykimin publik që mund t’i bëhet Mustafës në Kosovë.
Ndërsa kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia ka thënë se janë të vetëdijshëm për të gjitha procedurat që duhet ndjekur.
Në Hagë po dëgjohet dëshmitari i katërt i ZPS-së, seancë në të cilën po merr pjesë fizikisht edhe Salih Mustafa.
Një pjesë e dëshmisë po vijon e mbyllur për publikun.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Back to top button