Dështimi i projektligjit për skemat pensionale, AAK: Mendësia totalitare e VV-së s’njeh opinion tjetër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje për mos votimin e Projektligjit për skemat pensionale, i cili kishte për qëllim që pensionistëve t’ ju njihet e drejta e stazhit të punës për periudhën 1990-1999, rrjedhimisht të heq kufizimin diskriminues për 15 vite stazh të sigurimit pensional, për qytetarët e Kosovës.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në konferencë për media të mërkurën, tha se mazhoranca shkeli edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për skemat pensionale.
“Sot ishim dëshmitar se deri ku mund të shkojë mendësia totalitare që nuk njeh opinion tjetër. As opinionin e Kushtetueses, as opinionin e pensionistëve dhe as opinionin e sindikalistëve. Votimi i sotëm i Lëvizjes Vetëvendosje kundër, nuk është kundër nismës sonë si AAK, por edhe vendim kundër Kushtetutës së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk është në gjendje të ndryshojë padrejtësinë ndër vite që iu bëhet pensionistëve. Mirëpo ai tha se e njëjta mund të ndodh deri më 15 korrik të këtij viti, kur edhe është afati i fundit, sipas kushtetueses për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale.
“Vetëvendosje ka ardh në pushtet me program social. Ju kujtoj se LVV ka ardh në pushtet për ndryshimin e vendit, por këta nuk janë në gjendje të ndryshojnë as padrejtësinë kushtetuese që ndër vite ju bëhet pensionistëve. Kjo vetëm për faktin se vjen si propozim i opozitës. Ju garantoj pensionistëve se qoftë nga kjo legjislaturë, apo legjislaturë eventuale tjetër, ky ligj diskriminues pas datës 15 korrik nuk do të jenë më ligj”, tha ai.
Në seancën e sotme, ky projektligj dështoi të miratohet, pasi vetëm 25 deputetë votuan për, kryesisht të opozitës, ndërsa 35 sosh të mazhorancës votuan kundër.

Back to top button