Dështoi procesi i shkarkimit të kryetarëve në veri

(Lajm i përditësuar)

46.556 qytetarë patën të drejtë vote, KQZ thotë se votuan vetëm 253 persona

Këtë të diel në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët votuan nëse duan apo jo të largojnë kryetarët aktualë shqiptarë. Lista Serbe bëri thirrje për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.

Kreshnik Radoniqi, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në konferencën për media pas mbylljes së qendrave të votimeve ka deklaruar se numri total që morën pjesë në këto zgjedhje është 253 persona, prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

”Leposaviq 124 votues, Zubin Potok 18 votues, Zveçan nuk ka votuar asnjë votues dhe në Mitrovicën e Veriut 111 votues”, tha Radoniqi.

Sipas tij, nuk gjatë ditës nuk është raportuar për asnjë incident.

Erden Atiq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, Ilir Peci i Zveçanit, Lulzim Hetemi i Leposaviqit dhe Izmir Zeqiri i Zubin-Potokut.


Dështoi procesi i shkarkimit të kryetarëve në veri

Kreshnik Radoniqi, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka deklaruar se ka dështuar iniciativa për largimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë.

Radoniqi në një konferencë për media ka treguar se në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve. Numri total që morën pjesë në këto zgjedhje është 253 persona.

Radoniqi ka njoftuar se në Leposaviq kanë votuar ”124 qytetarë nga rreth 13.000 qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok 18 votues nga rreth 6.000 me të drejtë vote, në Zveçan s’ka votuar askush e në Mitrovicë të Veriut gjithsej 111 vota”.

Sipas tij, nuk gjatë ditës nuk është raportuar për asnjë incident.


Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në komunat veriore, ku u votua pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve.

Qendrat e votimit në katër komunat janë hapur nga ora 7 e mëngjesit.


Pjesëmarrja në votim në Veri, në Zveçan ende asnjë votues

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka bërë të ditur të dhënat mbi daljen e qytetarëve në votimin që po mbahet sot në katër komunat veriore të Kosovës deri në orën 15:00.

Pjesëmarrja deri në orën 15:00, sipas Elezit është si në vijim:

Leposaviq: 122

Zubin Potok: 17

Zveçan: 0

Mitrovicë e Veriut: 64


​KQZ: 85 votues deri më tani në katër komunat veriore

Në katër komunat veriore, deri në orën 11:00 në katër komunat veriore, për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok. Zveçan dhe Mitrovicë të veriut, kanë votuar vetëm 85 qytetarë.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka informuar se sipas informatave që kanë pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok shtatë votues, në Mitrovicë të Veriut 32 votues, ndërsa në Zveçan asnjë deri më tani.

“Sipas të dhënave që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si: në Leposaviq kanë votuar 46 votues, në Zubin Potok 7, Zveçan 0 dhe Mitrovicë e Veriut 32 votues”, ka informuar Radoniqi.

Derisa ekspertët kritikojnë KQZ-në për ndryshimin e qendrave të votimit ditën e fundit, Radoniqi për KosovaPress ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të pamundësisë që t’i hapin qendrat e rregullta të votimit, ky lajm ka qenë të mërkurën, dhe derisa janë përgatitur lokacionet e reja ka marr pak kohë.

“Ndryshimi është bërë për shkak të pamundësisë me i hap qendrat e rregullta të votimit dhe kjo ka qenë për shkak se i gjithë informacioni që nuk mund t’i hapim këto qendra ka qenë diku të mërkurën dhe derisa i kemi përgatitur lokacionet e reja ka marr pak kohë. Por, ne i kemi ofruar qytetarëve njoftimin përmes platformës së KQZ-së, që i kemi dërguar lokacionet e reja. Ka qenë kohë e shkurtë, por ka qenë e pamundur me u bë më herët”, ka thënë Radoniqi

Kryetari i KQZ-së fton të gjithë qytetarët e katër komunave që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni i kryetarit të komunës së tyre.

Back to top button