Detaje të reja për sulmin terrorist në Mançester

Autoritetet në Britani të bindura se sulmuesi nuk ka vepruar vetëm

Ministrja britanike e policisë, Amber Rud, deklaroi se sulmuesi vetëvrasës në Mançester, Salman Abadi 23 vjeçar, i cili hodhi vetën në ajër në sallën e koncerteve Mançester Arena të hënën në mbrëmje, duke vrarë me këtë rast 22 persona, sipas të gjitha gjasave nuk ka vepruar vetëm. Rud tha se Britania ka ngritur përkohësisht në nivelin maksimal rrezikun nga terrorizmi dhe shtoi se sulmuesi ka qenë i njohur për shërbimet e sigurisë, shkruan rtv21.tv

Ajo me këtë rast kritikoi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të rrjedhës në publik të të dhënave të besueshme për hetimet për sulmin, për të cilën rrjedhje përgjegjës janë agjentët amerikanë. Detajet e besueshme për sulmin u publikuan nga mediat amerikane NBCdhe CBS, para se ato të bëheshin publike nga zyrtarët britanikë. Këto media publikuan detaje për numrin e viktimave, informatën se bëhet fjalë për sulmuesin vetëvrasës dhe publikuan madje edhe identitetin e sulmuesit. Rud theksoi se ky incident është irritues dhe se ja ka bërë me dije kolegëve të saj amerikanë se gjëra të tilla nuk guxojnë të ndodhin më në të ardhmen.

Në anën tjetër, Kryeministrja e Britanisë, Tereza Mej, tha se niveli i rrezikut nga sulmet terroriste është ngritur në nivelin kritik, gjë që nënkupton se Britania mund të përballet me sulme të reja terroriste. Ajo më tutje tha se sulmuesi vetëvrasës ka gjasa të jetë pjesë e një rrjeti më të gjerë dhe se ai ka lindur dhe është rritur në Britani.

Kryeministrja e Britanisë më tutje qartësoi se me ngritjen e nivelit të rrezikut në nivel kritik, pjesëtarët e ushtrisë së Britanisë mund të dërgohen në vende publike në vend të pjesëtarëve të policisë gjatë manifestimeve publike, siç janë ngjarjet sportive. Në rrugët e Londrës tashmë është shtuar numri i pjesëtarëve të policisë, e do të angazhohen edhe pjesëtarët e ushtrisë, të cilët do të ruajnë pikat kyçe në kryeqytet, siç janë Pallati i Bakingemit dhe zyra e kryeministrit në Dauning Strit, ka kumtuar policia. Siç dihet, përgjegjësinë për sulmin në Mançester e mori përsipër Shteti Islamik. Si pasojë e sulmit u vranë 22 persona dhe u lënduan 59 të tjerë. Shumica e viktimave ishin të rinj dhe të mitur. Rreth 20 prej të lënduarve janë ende në gjendje kritike, ndërsa deri me tani janë identifikuar katër viktima të sulmit, ka njoftuar një zyrtar i shëndetësisë./21Media

Back to top button