Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës G7: Tregu i lirë duhet të jetë i drejtë për të gjithë

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për shfuqizimin e vendimit të ZRrE-së që detyronte bizneset të kalojnë menjëherë në tregun e lirë të energjisë.
Në një reagim zyrtar, G7 thekson se ky vendim është një fitore për drejtësinë ekonomike dhe një konfirmim se imponimi pa përgatitje i një procesi të tillë ka qenë i nxituar dhe i padrejtë për mijëra biznese, veçanërisht ato të udhëhequra nga gra.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 kërkon nga ZRrE që të rishikojë me përgjegjësi vendimet e saj dhe të përfshijë komunitetin e bizneseve në çdo hap të politikëbërjes energjetike. Sipas G7, liberalizimi duhet të ndodhë me tranzicion të kujdesshëm, mbështetje teknike dhe informim të qartë – jo si barrë mbi më të brishtët në ekonomi.
Reagimi i plotë
G7 – Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës
Mbi Vendimin e Gjykatës Komerciale për Shfuqizimin e Vendimit të ZRrE-së për Tregun e Lirë të Energjisë
Prishtinë, 30 / 07 / 2025
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 mirëpret vendimin e Gjykatës Komerciale për shfuqizimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që detyronte bizneset të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Ky vendim i Gjykatës vjen si një konfirmim i asaj për të cilën G7 dhe shumë biznese të vogla e të mesme kanë ngritur zërin vazhdimisht: imponimi i menjëhershëm dhe pa përgatitje i daljeve në tregun e lirë ishte i nxituar, i padrejtë dhe i paqëndrueshëm për mijëra biznese që nuk kishin kapacitetin për t’u përballur me një treg të papërshtatshëm dhe të paqëndruar.
Ky proces i imponuar i vendosur nga ZRrE jo vetëm që rrezikonte mbylljen e dhjetëra bizneseve të udhëhequra nga gra, por cenonte thellësisht barazinë ekonomike dhe mundësinë për pjesëmarrje të drejtë në treg.
G7 rithekson se liberalizimi i tregut duhet të jetë një proces i menaxhuar me kujdes, me politika tranzicioni, subvencione të drejta, mbështetje teknike dhe informim të qartë për të gjitha palët. Nuk mund të flasim për një treg të lirë, nëse ai favorizon vetëm të mëdhenjtë dhe përjashton të vegjlit.
I bëjmë thirrje ZRrE-së që të rishikojë me përgjegjësi vendimet e saj dhe të përfshijë në mënyrë reale komunitetin e bizneseve në çdo hap të politikëbërjes energjetike.
Në këtë kohë të sfidave ekonomike, nuk ka vend për politika që dëmtojnë prodhimin, punësimin dhe qëndrueshmërinë e bizneseve, veçanërisht të atyre që udhëhiqen nga gratë, të cilat tashmë operojnë në kushte të pabarazisë strukturore.
Vendimi i Gjykatës është një fitore për drejtësinë ekonomike dhe një hap i rëndësishëm drejt rivendosjes së besimit në institucionet rregullatore. G7 do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesin e grave ndërmarrëse dhe të gjithë bizneseve që kërkojnë një treg të drejtë, të hapur dhe të qëndrueshëm.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?