Dhunimi i 3-vjeçares në kopsht, nisin hetimet

Dhunimi i një 3-vjeçe, nga personi që supozohet të kujdeset për të në një kopsht privat ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës. Ngjarja raportohet se ka ndodhur më 1 nëntor, por hetimet kanë filluar pas bërjes publike të akteve të dhunës nga edukatorja Majlinda Dehima.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet lidhur me dhunimin e fëmijës 3-vjeçar në ambientet e kopshtit privat “Stinët” në zonën e Tiranës.

“Ora News” ka mësuar se hetimet janë regjistruar për akuzën e “Dhunimit të të miturit” që kanë sjellë pasoja të rënda. Ndërsa asnjë person për momentin nuk është nën hetim, deri në një fazë të dytë të sqarimit të plotë të shkaqeve që sollën thyerjen e këmbës së fëmijës 3-vjeçar.

Rasti u denoncua publikisht në emisionin “STOP”, ku përmes pamjeve filmike dhe fotografive u qartësua dhuna psikologjike dhe fizike ndaj fëmijës.

Kjo dhunë rezulton se është kryer nga Majlinda Dehima, e cila pritet që shumë shpejt të thirret në prokurori për t’u marrë në pyetje. Nga disa momente të kamerave të sigurisë së kopshtit, të datës 1 nëntor 2023.
Prindërit dyshojnë që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 10:00 më nëntor, pasi në kamerat e sigurisë ky është momenti i parë që edukatorja shfaqet e shqetësuar dhe jo në orën 15:00 kur prindërit janë njoftuar se diçka e pickoi në këmbë!

Në video dallohet vajza e mitur që hyn pas pak në dhomë duke qarë, edukatorja e godet të voglën me vizore, e tërheq nga dora dhe e ul me forcë në një karrige.

Rasti në fjalë po ndiqet dhe nga Ministria e Arsimit, e cila tashmë ka ngritur një Task-Forcë, për të kryer inspektime në të gjitha kopshtet private.

Njëherësh ministrja Manastirliu, vendosi të mbyllë këtë subjekt privat i cili ushtronte aktivitet tregtar pa licencë.

Nga ana tjetër ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka kërkuar prej Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të inspektojë dhe hetojë veprimet e punonjësve të komisariatit nr.1, lidhur me dinamikën e hetimit të këtij rasti./oranews

 

Back to top button