Dhunoi një vajzë në Fushë-Kosovë, ndalohet i dyshuari 

 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.Sipas komunikatës për media, i dyshuari, i paraqitur si person në këndim të Kuranit për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dyshohet se në banesën e tij në Fushë-Kosovë, gjersa kishte pranuar viktimën për ofrimin e shërbimit-trajtimin shëndetësor, i njëjti ka kryer veprën penale të lartcekur.

“Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim mjeko-ligjor për viktimën, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sot Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Fushë-Kosovë pasi dyshohet se gjatë këtij muaji ka dhunuar një grua. I njëjti është dërguar në mbajtje. Pretendimet se i dyshuari R.S., është imam në Bashkësinë Islame të Kosovës, i ka hedhur poshtë ky institucion.

“Këshilli i BI-së në Fushë Kosovë njofton opinionin e gjerë si dhe besimtarët myslimanë, se i arrestuari në fjalë nuk është pjesë e Këshilli të BI-së, madje i arrestuari nuk është fare imam-hoxhë, e as teolog islam.
Pra i njëjti nuk ka të bëjë asgjë me misionin e imamit dhe nuk është pjesë e BIK-ut” , thuhet në njoftimin e BIK-ut./21Media 

Back to top button