Dialogu Kosovë-Serbi në “udhëkryq”

Bashkimi Evropian edhe përgjatë vitit 2025 do ta ketë në fokus dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. BE-ja ka paralajmëruar palët në këtë proces se nuk do të tolerohen shkeljet e qëllimshme të marrëveshjes për normalizim të raporteve duke paralajmëruar pasoja në rrugën integruese. Qeveria e Kosovës konsideron se Serbia po e kërkon vetëm pikën për themelimin e Asociacionit për ta bllokuar këtë proces. Ndërsa, në opozitë thonë se Qeveria gjatë vitit që lamë pas nuk kishte agjendë të qartë në dialog me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka shënuar pak rezultate në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve ka vlerësuar Bashkimit Evropian i cili e lehtëson këtë proces. Palët në proces të dialogut kanë vendosur kushte për vazhdimin e takimeve në nivel të lartë Kurti-Vuçiq. Kosova ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes nga Serbia, ndërsa kjo e fundit themelimin e Asociacionit. Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga Kosova themelimin e Asociacionit, ndërsa nga Serbia njohjen e simboleve të Kosovë.
“Si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, ata dërgojnë një mesazh të qartë se nuk do të ketë integrim në BE pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe ofrojnë një plan të detajuar të punës për vitin e ardhshëm, të miratuar nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”.
Kjo qasje e BE-së është kritikuar disa herë nga Qeveria e Kosovës duke e quajtur emisarin Lajçak të pa balancuar. Deputeti i LVV-së, Agon Batusha, pret që strukturat e reja të BE-së që të bëjë preson më të madh ndaj Serbisë që ta detyrojë të zbatojë obligimet e marrëveshjes.
“Serbia marrëveshjet fare nuk e kanë zbatuar, ata po kërkojnë vetëm një pikë që të zbatohet për Asociacionin. Ata po insistojnë në një pikë për të cilën ne i kemi qëndrimet e qarta. Është e rëndësishme që Kosova të njihet nga Serbia si shtet sovran dhe i pavarur, kjo është e vetmja rrugë e dialogut me të cilin BE-ja e ka nisur. Për ta përfunduar këtë proces nevojitet që këtë pikë ta arrij sa më shpejtë. Ne do ta bëjmë pjesën tonë pa cenuar kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e Kosovës. Por, mbetet edhe në dorën e BE-së që ta bindë Serbinë që të harroj të kaluarën, të përqendrohet tek e ardhmja dhe të mos shoh fantazira të cilat i ka parë deri më tani”, ka thënë Batusha.
Për partitë opozitare Qeveria gjatë vitit 2024 ka bërë hapa prapa në proces të dialogut duke hequr dorë, sipas tyre, nga njohja reciproke. Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se kryeministri Kurti e ka kthyer procesin e dialogut në çështje teknike. Sipas tij, në procesin e dialogut duhet të ketë një agjendë të qartë.
“Presim një agjendë tjetër, por fillimisht ne duhet ta kemi si vend si Kosovë një agjendë konkrete për dialogun dhe pastaj do të na përkrahin edhe strukturat e reja të BE-së. Nuk mundesh me pas sukses pa pasur agjendë. Fatkeqësisht në këto katër vjet nuk kemi pas agjendë”, ka thë Beqa për rtv21.
Njohësi marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, vlerëson se procesi i dialogut ka kohë që po zhvillohet, por obligimet ndërkombëtare që kanë marrë palët në këtë proces nuk po i respektojnë. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk do ta toleroj gjatë vendosjen e kushteve nga pala kosovare dhe ajo serbe në dialog.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i toleroj këto kushtëzime për faktin s kemi një dakordans midis palëve për mënyrën se si do të ec procesi. Ajo që duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare është që ta monitoroj implementimin e marrëveshjeve të arritura nga të dyja palët, në këtë rast edhe nga Kosova edhe nga Serbia në mënyrë që ta ruaj balancin që të mos lejohet që njëra palë të ndihet e mashtruar nga pala tjetër”, ka thënë Jashari për rtv21.
Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale se është duke bërë përpjekje për një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq./RTV21/21Media