Digjitalizimi është prioritet i qeverisë, Kurti: Rinia kosovare është potenciali kryesor

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur i kënaqur që Kosova është nikoqire e Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor. Ai deklaroi se digjitalizimi është prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Ne do t’i lehtësojmë këto duke fuqizuar administratën publike dhe duke e përmirësuar sistemimin edukativ dhe ngritur efiçiencen e shërbimeve shëndetësore dhe atyre të drejtësisë duke e digjitalizuar qeverinë por edhe bizneset dhe kjo ka për qëllim ngritjen e produktivitetit dhe nivelit më të mirë të jetesës shoqërore”, u shpreh Kurti.
Kryeministri Kurti tutje tha se rinia kosovare është potenciali kryesor, ku sipas tij, komunitetit ICT në vend ka një shpirt ndërmarrës.
“Pra, për këtë arsye ne duhet të kemi sisteme digjitale për mësuesit, mjekët e të tjerët por edhe për të gjithë qytetarët. Kjo, vetvetiu e bën të domosdoshme ngritjen e nivelit të aftësisë së përdorimit digjital dhe përmirësimin në shoqërinë tonë”, është shprehur kreu i qeverisë.
Në Samitin Digjital për Ballkanin Perëndimor Kurti përmendi edhe sulmet kibernetike me të cilat është përballur Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina, tha se të gjitha shtetet i kanë telashet e njëjta.
“Ky samit i jep mundësinë të gjitha shteteve të rajonit që të zhvillohen në sistemin e një hapësire digjitale, pra, digjitalizimi e ka bërë komunikimin e njerëzve në këtë rajon më të lehtë e më të shpejtë”., deklaroi Albin Kurti./21Media

Back to top button