Dinari vazhdon të qarkullojë në Graçanicë, qytetarët serbë kërkojnë tërheqje të vendimit

Qytetarët serbë të Kosovës vlerësojnë se vendimi për ndalimin e dinarit i godet qytetarët e zakonshëm dhe jo vetëm komunitetin serbë, por të gjithë komunitete përfshirë edhe shqiptarët që marrin pension nga Serbia.
Për RTV21 disa qytetarë serbë të komunës së Graçanicës, kanë deklaruar se vendimi për largimin nga përdorimi të dinarit është një goditje e madhe për ta.
‘’Paj nuk është mirë. Nuk është dinari vetëm për popullin serb ka edhe shqiptarë që marrin pensionet, ka edhe romë, egjiptas e përkatësi tjera etnike. Tani do të jetë shumë më vështirë Ku do të shkojnë nënat me fëmijë, pleqtë të shkojnë t’i marrin pensione. Duhet të mendohet për të gjithë popujt jo vetëm për një popull. Do të duhej të tërhiqej vendimi, do të duhej edhe Kurti të mendoj pak më mirë nuk janë shqiptarët populli i vetëm këtu. Prej kohësh jetojmë bashkë dhe nuk mundemi pa njëri tjetrin do të duhej të bëjë kompromis dhe që dinari të vazhdojë të jetë në përdorim”, tha një qytetarë për televizionin tonë.
Mendim të njëjtë ka edhe një qytetarë tjetër, i cili ka thënë se ky vendim nuk është problem për politikanët, është problem për qytetarët e zakonshëm që marrin pensionet me dinar.
“Ju që po bëni anketa dhe qytetarët që flasin, a ju intereson atyre politikanëve që vendosin për fate njerëzish, Asnjërit. Po, përgjithësisht është problem, si nuk është. Duhet të tërhiqet vendimi absolutisht, ai vendim godet njerëzit e zakonshëm. Nuk do të godasë vetëm pjesëtarët e komunitetit serb, do të godasë edhe komunitetin shqiptar, një pjesë e tyre marrin pensione nga Serbia. Për politikanët nuk është problem, është problem për qytetarët e zakonshëm që marrin pensionet me dinar. Politikanët çojnë përpara interesat e tyre, pësojnë qytetarët e zakonshëm”, tha ai për RTV21.
Ka edhe qytetarët të cilët megjithëse e shohin problematike, duket se po pajtohen me këtë vendim të BQK-së për largim të dinarit nga përdorimi.
“Po shikoni ne jemi mësuar me dinar, nëse do të bëhet euro, do të bëhet, nuk kemi c’bëjmë. Do të ketë pak problem pasi jemi mësuar me dinar. Do ta shohim si do të jetë, sidoqoftë shëndosh qofshim”.
Qarkullimi i dinarit në komunën e Graçanicës vazhdoi edhe sot kur rregullorja e BQK-së për ndalimin e përdorimit të tij, hyri në fuqi./21Media