Diskutohet për pozitën e pakicës kroate në Kosovë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur donacionin prej 10 mijë dozash të vaksinës anti-covid që Kroacia e ka ndarë për Kosovën. Falënderimin e tij Kurti e bëri gjatë takimit me  Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, Gordan Grliq Radman.

“Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Radman dhe Kroacinë për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës. Ai shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e sinqertë për donacionin prej 10 mijë vaksinash, duke e vlerësuar si lajm që sjellë optimizëm e shpresë për intensifikimin e vaksinimit, para muajve të verës, kur mërgata kthehet për pushime në Kosovë”, tha Kurti gjatë takimit.

Në takim u diskutua edhe për pozitën e pakicës kroate në Kosovë dhe për mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në fushën e ekonomisë.

Duke spikatur raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, ministri Radman siguroi kryeministrin Kurti se Kroacia do të vazhdojë ta përkrahë dhe ta ndihmojë Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ai kërkoi intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ministri Radman e uroi kryeministrin Kurti për fitoren dhe zgjedhjen kryeministër i Kosovës dhe bashkë me përgëzimet më të sinqerta./21Media 

Back to top button