Diskutohet për sigurinë Kosovë-Kroaci

Demolli në Kroaci, takon presidenten Grabar- Kitaroviq

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli me ftesë të ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Damir Krstiqeviq, po qëndron për një vizitë zyrtare në Kroaci për të marrë pjesë në panairin e 4-të të Mbrojtjes dhe Hapësirës Ajrore të Detit Adriatik (ASDA 2017), i cili mbahet në Split.

Siç njofton MFSK, Demolli gjatë qëndrimit atje, zhvilloi një takim edhe me presidenten e Republikës së Kroacisë, zonjën Kolinda Grabar- Kitaroviq.

Demolli dhe Grabar –Kitaroviq, biseduan për marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve,  me theks të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë.

Ministri Demolli, në kuadër të vizitës  së tij, pritet të vazhdojë agjendën e takimeve me personalitete  të rëndësishëm të shtetit kroat  dhe shteteve tjera pjesëmarrëse.

Back to top button
close button