Rama: Respektojmë afatin për listën e kandidatëve

”Ne provuam, jo me fjalë, por me fakte se çka kemi thënë që jemi të gatshëm për dialog pa kushte, është e sinqertë dhe e vërtetë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar të enjten në seancën plenare të Kuvendit se Partia Socialiste do të respektojë Kushtetutën për regjistrimin e kandidatëve në 29 prill kur është edhe afati i fundit.

Po ashtu, Rama theksoi edhe njëherë se nuk do ketë asnjë tërheqje nga 18 qershori.

“Pasnesër skadon afati për regjistrimin e kandidatëve dhe sigurisht që ne do të respektojmë afatin, dhe patjetër ne do respektojmë edhe ditën, datën e përcaktuar nga presidenti në bazë të kushtetutës së republikës për të shkuar para popullit e për të marrë me votë gjykimin e tij për këtë mandat. Ne provuam, jo me fjalë, por me fakte se çka kemi thënë që jemi të gatshëm për dialog pa kushte, është e sinqertë dhe e vërtetë”, deklaroi Rama.

Ai ka folur edhe për prapaskenat e negociatave me ndërmjetësimin e dy europarlamentarëve Fleckenstein dhe McAllister.

“Na është propozuar një shtyrje e datës së zgjedhjeve deri më 16 korrik dhe mundësia për të prekur qeverinë në poste kyçe që lidhen me sektorë ku mendohet se mund të kenë influencë qeveria, mbi zgjedhjet. Përgjigja ime ka qenë shumë e qartë, nuk kam thënë po, nuk kam thënë jo, kam thënë jemi të hapur ta diskutojmë, por me vettingun. Pa vettingun nuk kemi çfarë diskutojmë. Vettingu është arsyeja pse PD nuk shkon në zgjedhje dhe vettingu është edhe arsyeja më e qenësishme e betejës për të reformuar drejtësinë”, tha Rama.

Back to top button