Djegia e gjimnazit të vjetër në Ferizaj, Çeku: Ky është krim, objekti do të restaurohet

(Lajm i përditësuar)

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e ka quajtur sot krim përfshirjen nga zjarri të objektit të gjimnazit të vjetër në Ferizaj.

Ai ka potencuar se Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet.

“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë. Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet, i pëlqeu apo jo keqbërësve. Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta.”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Ministri ka shtuar se metodat e “porositë mafioze nuk na ndalojnë”.

10:40 – Një ditë pas nisjes së restaurimit, digjet gjimnazi i Ferizajt

Objekti i ish-Gjimnazit të Vjetër në Ferizaj, u përfshi nga zjarri masiv në orët e para të mëngjesit të së martës.

Komuna e Ferizajt përmes një reagimi publik ka deklaruar se zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin, i cili përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore.

I njëjti objekt bëhet e ditur se të hënën e 13 marsit, ka nisur të rinovohet tërësisht nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, objekti i ish Gjimnazit të Vjetër në Ferizaj, u përfshi nga zjarr masiv, duke shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin, objekt ky që përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore e që së fundmi, pikërisht dje më 13.03.2023, nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nisën ndërhyrjet e para për renovimin e tërësishëm të objektit”, thuhet në reagimin e tyre në “Facebook”.

Tutje, Komuna e Ferizajt ka thënë se përmes Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Shërbimit të Zjarrfikjes, me të marrë informatën ka dal në vendngjarje duke ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme, me gjithë kapacitetin e plotë, për të shuar zjarrin.

“Komuna e Ferizajt, kërkon nga organet hetimore, organet e ndjekjes dhe gjyqësore që të zhvilloj hetim të tërësishëm të rastit dhe që shkaktarët e zjarrit të bëhen publike për qytetarët”, thuhet mes tjerash.

“Ky objekt përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore të Ferizajt, andaj Komuna e Ferizajt me gjithë kapacitetin e saj e kompetencën ligjore, do ta mbroj këtë objekt për t’ia ofruar publikut, pas punës restauruese që do të ndodh në këtë objekt”, përfundon reagimi i komunës.

08:10 – Digjet një shkollë në Ferizaj

Një shkollë e vjetër në Ferizaj është kapluar nga zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Përveç dëmeve nuk ka të lënduar.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Rreth orës 04:25 kemi pranuar një informatë se në një objekt shkolle të vjeter jo funksionale në rrugën “Ramadan Rexhepi” është një incident zjarri. Ekipe të policisë, zjarrfikësve kanë dalë mënjëherë në vendin e ngjarjes. Zjarri është lokalizuar, veç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”./21Media

Back to top button