DnV: Procesi i votimit i qetë dhe demokratik

Demokracia në Veprim ka njoftuar se dita e zgjedhjeve është zhvilluar në përgjithësi në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Sipas njoftimit përkundër atmosferës së qetë dhe pjesëmarrjes së kënaqshme të qytetarëve në votime, procesi është përcjellë edhe me disa parregullsi.

“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërm të tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në Librin e Votimit”, thuhet në njoftim.

“Ndërrimet e Qendrave të Votimit nga KQZ-ja për një numër të konsiderueshëm votuesish kanë shkaktuar telashe serioze në terren, dhe një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në Listën e Votuesve. Përkundër ndryshimeve të shumta në listat e votuesve, gjendja është përkeqësuar si rezultat i mungesës së tavolinave ndihmëse në një pjesë të konsiderueshme të qendrave të votimit”, vijon njoftimi.

Po ashtu bëhet e ditur se , shtohet se vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar edhe prani të materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh.

Në prag të fillimit të procesit të numërimit të fletëvotimeve, DnV u bën thirrje të gjithë komisionerëve që të vazhdojnë numërimin me të njëjtin përkushtim, duke ditur se ky proces është po aq i rëndësishëm sa votimi. Gjithashtu, u bëjmë thirrje subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre të presin me qetësi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve dhe të demonstrojnë përgjegjësi politike e qytetare.

Back to top button