DnV: Zgjedhjet lokale duhet të mbahen

Demokracia në Veprim konsideron se zgjedhjet lokale të 17 tetorit duhet të mbahen brenda afateve të përcaktuara, por në respektim dhe përputhje me masat në fuqi për parandalimin e shpërndarjes së virusit dhe protokolleve tjera në fuqi.
“Zgjedhjet e rregullta lokale janë shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani, për datën 17 tetor të këtij viti, duke u bërë kështu procesi i tretë zgjedhor që Kosova organizon në periudhën e pandemisë COVID-19. Për sot është paralajmëruar mbajtja e një takimi konsultativ mes subjekteve politike dhe Presidentes Osmani, për të diskutuar rekomandimin e IKSHPK-së, i cili kërkon shtyrjen e procesit zgjedhor”, thuhet në një komunikatë të DnV-së.
Sipas tyre, organizimi i këtyre zgjedhjeve do t’u mundësojë qytetarëve ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në institucionet e nivelit lokal, që përbën një prej parimeve bazë të funksionimit demokratik të një shteti.
“Në anën tjetër, edhe pse gjatë vitit 2020 dhjetëra shtete kishin vendosur për shtyrjen apo anulimin e zgjedhjeve, ndër të cilat edhe vet Kosova, kjo ishte bërë kryesisht në mungesë të protokolleve shëndetësore dhe masave specifike për garantimin e një procesi zgjedhor që nuk rrezikon shëndetin publik”, thuhet tutje në këtë komunikatë..
SIpas DnV-së këto nuk do të jenë zgjedhjet e para që Kosova organizon në kohë pandemie. Duke qenë se në dy proceset e organizuara paraprakisht, respektivisht zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, Kosova tashmë ka krijuar një përvojë të konsoliduar për organizimin e zgjedhjeve në kohë pandemie.
Demokracia në Veprim kërkon që institucionet relevante, por edhe vet subjektet politike, të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për organizimin e një procesi zgjedhor të sigurt shëndetësor.
Sipas tyre, institucionet shëndetësore do të duhej që deri në fillimin e procesit zgjedhor të përditësojnë manualet përkatëse për organizimin e zgjedhjeve, duke marrë në konsideratë mësimet e nxjerra nga organizimi i dy palë zgjedhjeve më parë.

Sot në ora 17:00 Partitë politike në vend do të takohen me presidenten Osmani për të diskutuar rreth çështjes së zgjedhjeve lokale, pas rekomandimit të IKSHPK-së për shtyrjen e tyre./21Media 
Back to top button