Dodë Gjergji: Le ta duam vendin tonë

Ipeshkvi Dodë Gjergji në meshën solemne për Krishtlindjen, ka thënë se duhet ta duam vendin tonë, jetën dhe të ardhmen, pasi frika, pasiguria dhe zhgënjimi, si një virus po na bren përbrenda, derisa ka kritikuar deputetët që siç tha për turpin e tyre dhe për të fyer të gjithë, miratuan sonte ligjin për abortin.
Dodë Gjerigji në meshën solemne të Krishtlindje të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, e cila u mbajt në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, dha mesazhe për mirësinë, afërsinë dhe solidaritetin.
Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se Krishtlindjet janë festa e gëzimit dhe haresë, derisa shtoi se me Krishtin mund të jetojmë me shpresën që nuk na zhgënjen kurrë.
”Dikush mendon që është politika ajo që na ka vjedhur të ardhmen dhe na ka lënë pa shpresë, do të tjerë vazhdojnë të këmbëngulin që është Qeveria që nuk arrin t’i kryen përgjegjësitë e veta, pastaj do të tjerë fajin ia lënë Evropës që na mban të izoluar pa viza dhe me yll në ballë sikur do t’i thoshte populli i fusnotës, pastaj janë edhe ata që thonë se nëse ka pas dikur profiter lufte, sot nuk mungojnë profiterët e shpresës….nuk janë të paktë edhe ata që na paaftësia për të parë rrugët e reja të prosperitetit e lidhin shpresën me shpirtin lakmiçar, laraman ose vetëmohues, duke na servirur kthimin në të kaluarën sikur ajo neotomane, që nxisin akoma ndonjë nostalgji për komonizimin ose ofrojnë një neo-jugosllavizëm si rrugë që duhet ndjekur. Sigurisht nuk mungojnë edhe ata që nëpërmjet ekstremizmit fetar duan të na tjetërsojnë. Hiq më pak janë ata të cilët nëpërmjet liberalizmit ekstrem promovojnë shthurjen e sistemit të vlerave humane, morale, familjare dhe fetare, duke na sugjeruar drejt hiqit të pakuptimtë”, ka thënë Gjergji.
Ipeshkvi Dodë Gjergji në fund tha se duhet ta duam vendin tonë, ta duam jetën dhe të ardhmen tonë.
”Të gjithë ne zëmërthyerit të gjejmë mishërimin dhe të rrisim shpresën, pasi ne jemi njerëz të kësaj kohe, ne jemi njerëz të këtij vendi. Le ta duam vendin tonë, le ta duam jetën tonë, le ta duam të ardhmen tonë dhe mos të mos hezitojmë për të sakrifikuar sepse vetëm frikacakët ikin nga realiteti”, tha ai, duke shtuar se trimat përballen me realitetin e vet, si dhe vendit të tyre.

Back to top button