Dodik: Pavarësia e Republikës Serbe përgjigje ndaj rezolutës për Srebrenicën

Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik theksoi se në përgjigje të rezolutës për Srebrenicën në OKB, do të zbatojë masat “për të arritur pavarësinë”.

Dodik tha se “elita myslimane boshnjake” i dha vetes një “autogol” serioz me rezolutën për Srebrenicën.

“Nuk do të ketë bisedime për pranimin e të ashtuquajturës rezolutë për Srebrenicën. Ndarja paqësore është zgjidhja e vetme për të gjithë popujt e BeH”, tha Dodik pas takimit të partive të koalicionit qeverisës në Banja Lluka.

Ai vuri në dukje se Republika Serbe është e aftë të mbrohet nga të gjitha sulmet dhe se do të respektojë Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës për sa kohë që ajo nuk zbatohet kundër saj.

Një projekt-rezolutë e OKB-së që shpall 11 korrikun “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës 1995” do t’i paraqitet Asamblesë së OKB-së për shqyrtim më 17 prill dhe do të votohet nga 193 shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 2 maj.

I modeluar pjesërisht në një rezolutë të ngjashme për gjenocidin e Tutsi-ve të Ruandës, dokumenti po zhvillohet nga një grup vendesh duke përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në.

Edhe pse detajet e plota të dokumentit të propozuar nuk janë ende të disponueshme, ai ka shkaktuar reagime të ashpra serbe, si nga serbët e Bosnjës të Republikës Serbe, ashtu edhe nga autoritetet në Beograd.

Masakra e Srebrenicës më 11 korrik 1995 është gjenocidi i vetëm i njohur ndërkombëtarisht në Evropë qe nga Lufta e Dytë Botërore, ku u vranë mbi 8 mijë myslimanë boshnjakë.

Shumica e viktimave të masakrës u ndoqën dhe u ekzekutuan ndërsa po përpiqeshin të iknin në një pyll aty pranë, pasi Srebrenica u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës, në ditët e fundit të luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë.

Trupat e tyre u hodhën në varre masive të hapura me nxitim dhe më pas u gërmuan me buldozerë dhe u shpërndanë në vende të tjera për të fshehur provat e krimit.

Qyteti i Srebrenicës atëbotë ishte shpallur “zonë e mbrojtur” nga Kombet e Bashkuara dhe ruhej nga paqeruajtësit holandezë.

Kosova ka miratuar rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës.

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara kanë lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq. Ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2019.

Back to top button