Dogana e Kosovës, rreth 40 raste nën hetime për keqpërdorim të detyrës

Berisha: Mbi dhjetë zyrtarë presin nga gjykata vendimet

Dogana e Kosovës, KEDS-i dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit(AKP), janë ndër institucionet më të korruptuara në vend bazuar në raportin pulsi publik nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) që u patë publikuar gjatë këtij viti.

Vetëm në Doganën e Kosovës, për dyshim të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, brenda një viti janë trajtuar 40 raste, ndërsa, në proces gjyqësor për korrupsion janë mbi 10 zyrtarë doganorë të cilët janë edhe të suspenduar nga puna deri në një vendim të prerë nga gjykata.

Drejtues të Doganës së Kosovë pohojnë se ka zyrtarë doganorë që janë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në vitet paraprake ka pasur zyrtarë të këtij institucioni edhe të dënuar për korrupsion.

Nga 400 mijë procedura të ndryshme të zhdoganimit brenda një viti, dogana pranon 700-800, ankesa nga subjekte të ndryshme.

Drejtori i Doganës, Bahri Berisha në një intervistë pwr kp tha se dogana është një prej institucioneve të pakta në Kosovë që vet i heton këto dukuri negative. Kjo sipas tij, ka ndikuar të ketë një efekt shumë më të madh, sepse nga vet stafi që punon në doganë, hetohet puna që mund ta keqpërdorë dikush, për këtë edhe mund të reagohet më shpejt.

Berisha tha se ndaj asnjë zyrtari doganor nuk ka tolerancë, ka edhe një numër edhe të suspenduar që tashmë janë jashtë detyrës zyrtare për shkak të dyshimeve në punën e tyre zyrtare.

“Ne në baza vjetore edhe një pjesë e stafit nga informacionet të cilat i posedojmë, qoftë nga qytetarët ose bizneset, ne i trajtojmë përmes procedurave disiplinore apo penale. Çdo vit mund të shkon numri 30-40 raste brenda doganës të cilat i trajtojmë për çështje jo etike, jo profesionale. Aty ku kemi indikacione, ku kemi dyshime të bazuara, por edhe prova materiale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ato i përcjellim tek prokurori përkatës për trajtim në aspektin penal. Duhet të punojmë shumë më shumë në bashkëpunim edhe me qytetarët, por vlerësoj se Dogana ka krijuar disa mekanizma të mirë edhe të hetimeve administrative, por edhe të hetimeve penale”, deklaroi Berisha.

Drejtori Berisha pohoi se janë duke pritë vendimet e gjykatave për më shumë se 10 zyrtarë, për të cilit tha se varësisht prej aktgjykimeve të formës së prerë, edhe vepron dogana.

“Mund të themi janë mbi dhjetë zyrtarë që janë në gjykatë duke pritë vendimet. Kjo na merë kohë, sepse kemi më shumë se një vit që janë zyrtarët e suspenduar që janë duke pritur vendimet. Kishim pasur dëshirë që të kishim vendime më të shpejta, sepse ato vende ose duhet të plotësohen ndaj atyre zyrtarëve ose të kthehen në detyrën zyrtare. Dëshirojmë që vendimet të jenë të merituara. Në praktikën tonë kemi hasur shpeshherë vendime kur janë me kusht, me gjobë qoftë ndaj grupeve të krimit të organizuar, ndaj njerëzve që bëjnë kontrabandë, por janë më pak të cilat qojnë në vuajtje të dënimit që përkthen me dënime kushte ose me para”, tha ai.

Edhe pse numri i ankesave arrin rreth 1 mijë ndaj doganës, drejtori Berisha tha se kjo shifër tregoi që është një trend në rënie nga viti në vit, teksa shtoi se në baza vjetore janë rreth 10 deri 15 përqind më pak ankesa.

Sipas Berishës, Dogana është në shërbim të bizneseve dhe qeverisë, derisa tha se politikë dhe strategji e këtij institucioni është në lehtësim të tregtisë dhe lehtësim të biznesit pa vënë asnjë herë barriera.

“Ankesat në drejtim të Doganës ka një trend të rënies edhe në baza vjetore sillet rreth 10 deri 15 përqind më pak ankesa. Edhe ai numër i ankesave që kemi krahasuar me procedurat që ne i zhvillojmë është më pak se 0.02 përqind. Kemi mbi 400 mijë procedura të ndryshme që i zhvillojmë brenda vitit që janë diku 700-800 ankesa, kjo tregon që është një trend pozitiv i rënies, kjo është edhe fal partneritetit që kemi ndërtuar me Odat Ekonomike dhe me përfaqësues të biznesit. Kemi një bashkëpunim të mirë. Kemi një mirëbesim edhe i trajtojmë çështjet e përbashkëta. Kemi takime dhe konsultime në baza të rregullta”, tha Berisha.

Drejtori i Doganës Berisha tha se për hetimin e korrupsionit, dogana zhvillon dy parë procedura, edhe çështjen administrative, sepse nëse shkelet kodi i etikës dhe kodi i mirësjelljes, merren veprime administrative të përjashtimit prej punës ndaj atyre zyrtarëve që i është ndarë procedura nga penalja. Ndërsa, për vepër penale vendos gjykata, kurse për shkelje administrative vendosin komisionet e brendshme në bazë të rregullave dhe udhëzimeve që janë brenda doganës për përjashtim, largim, degradim.

Ndryshe, dogana është një ndër burimet kryesore për mbushjen e buxhetit të shtetit, që për vitin 2019 ky institucion ka arrit të inkasoj rreth 1.2 miliardë euro

Back to top button