”Doktrina e botes serbe kopje e asaj ruse”, ekspertët apelojnë për kujdes ndaj ndikimit rus në rajon

Diplomatë, njohës të politikave të jashtme dhe ekspertë të sigurisë kanë bërë apel për kujdes ndaj ndikimit rus në Ballkan duke shfrytëzuar lidhjen që ka ky vend me Serbinë, e cila e ka pranuar influencën ruse. Të njëjtit folën në konferencën e ”The Geopost” me temën “Ndikimi rus në Ballkan – Kriza në Ukrainë” që u mbajt në Prishtinë.
Ish-ambasadori i Bosnjës dhe Hercegovinës në Rusi, Enver Haliloviq, deklaroi se doktrina serbe nuk ndryshon prej asaj ruse. Ai tha se një sistem i ngritur mbi barazinë mes individëve është zgjidhja e vetme për të ruajtur paqen në Ballkanin Perëndimor si dhe në botë.
”Ky ndikim është i theksuar dhe është i madh në kohen e fundit dhe fatkeqësisht në kohën e mandatit të dytë të ardhjes se Putinit në pushtet në Federatën Ruse. Ne jemi duke u ballafaquar në Ballkan, edhe në shtetet që rrethojnë Serbinë, në një situatë të veçantë duke pasur parasysh se është e pranishme në Ballkan përmes ndikimit rus domethënë doktrina e botes serbe asgjë tjetër nuk është përpos kopje e doktrinës ruse. E vetmja zgjidhje e cila është e mundur për Ballkanin dhe për tërë botën sot e cila po shkon sot në procesin e globalizimit është sistemi qytetar në parime të barazisë të individëve pa marrë parasysh dallimet e tyre në fe, gjuhë apo gjini, racë edhe të tjera, kjo është e ardhmja e sistemit të botës, mirëpo kjo është e ardhmja që duhet të jemi të vetëdijshëm të dimë sistemet edhe mirëmbajtjen e paqes prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Haliloviq.
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, deklaroi se Rusia është një fuqi agresive e botës që dëshiron të ndryshojë realitetin ekzistues gjeopolitik të botës. Ndërsa duke folur për Serbinë u shpreh se pavarësisht se nuk dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s në pesë vitet e fundit ka shpenzuar mbi 1 miliard e gjysmë euro për mbrojtjen.
”Rusia është një fuqi agresive e botës po përpiqet të ndryshojë të gjithë realitetin ekzistues gjeopolitik të botës.. Serbia është një vend i madh prej rajonit tonë, i zhvilluar ekonomikisht prej rajonit tonë i cili as nuk e ka ndërmend të hyjë në NATO…. Është një vend që nuk do hyjë në NATO por që 5 vitet e fundit ka realizuar 1 miliard e gjysmë euro për mbrojtjen. Serbia ka futur aviacion modern, avionë gjuajtës, helikopter gjuajtës dhe mbrojtës e transport, ka modernizuar të gjithë sistemin e vjetër që kishte me modernizim perëndimor francez, italian dhe vendet e tjera të NATO-s. Serbia ka përforcuar të gjithë aparatin e saj kibernetikë dhe këtu ju ftoj të gjithëve të reflektoni për çfarë ju duhet ky aparat kibernetikë ushtarak Serbisë, më kë do të bëjë luftë dhe ajo çfarë është me rëndësishme në gjithë vokabularin politiko-siguri-ushtarak të Serbisë tre gjëra janë të qarta: Serbia nuk do të hyjë në NATO, lidhja e Serbisë me Rusinë dhe proceset e mbetura pezull të sigurisë së Serbisë që janë Bosnja dhe Kosova për fat të keq tash është shtuar edhe Mali i Zi në këtë proces”, ka thënë ai.
Rumena Filipova, kryeshefe e institutit “Global Analytics”, u shpreh se një metodë tjetër e ndikimit rus është edhe kapja e mediave që ka ndodhur në Ballkan. Ajo theksoi se Rusia nuk i shpërndanë në mënyrë të ngjashme të gjitha informatat, derisa shtoi se Serbia është vendi që e ka pranuar influencën ruse.
”Një prej manifestimeve kryesore të fuqisë së Rusisë është kapja e mediave, gjë që e kemi vërejtur edhe në Ballkan. Unë kam paraqitur një strukturë sesi media kontrollohet nga grupe oligarke, te cilat paraqesin një lloj influence totalitare. Ajo çka shohim në përgjithësi është një influencë shumë e rrezikshme në sferën ndërkombëtare. Ajo që duhet të bëjmë është parandalimi, duke i mbajtur politikanët llogaridhënës… Ajo çka del prej këtij raporti është se në të vërtetë duhet të shohim instrumentet që përdoren për propagandë, influencën tek popullata… Prezenca e kompanive ruse në rajon është e madhe dhe na kufizon shumë… Përveç informalitetit, Kremlini përdor edhe një numër të mjeteve mbështetëse, si tregjet e reklamave”, tha ajo.
Ferhat Dimosha, ish-ambasador i Malit të Zi në Kosovë, tha se Rusia e Serbia janë shtete të mëdha por nëse ne jemi me amerikanet ato janë shumë të vogla.
Dimosha tregoi edhe për raportin e Malit të Zi me Rusinë duke thënë se malazezet gjithnjë e kanë parë Federatën Ruse si nënë
Konferenca e “The Geopost” me temën “Ndikimi rus në Ballkan – Kriza në Ukrainë” vijoi edhe me panelistë të tjerë./kp

Back to top button