“Doku Fest” hap thirrjen për aplikim në edicionin e 21-të

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurt – DokuFest ka njoftuar se ka hapur thirrjen për aplikim për edicionin e 21-të të festivalit.
Ky edicion do të mbahet nga data 5 gusht deri më 13 gusht, 2022 në Prizren.
“Festivali synon të prezantojë një program të pasur dhe të larmishëm të filmave dokumentarë bashkëkohorë, filmave të shkurtër dhe filmave të animuar, si dhe një numër masterklasash, panele, diskutime dhe punëtori”, thuhet në njoftim.
Ky edicion është paraparë të mbahet në formë fizike.
“Pas një edicioni online në 2020 dhe edicionit hibrid në 2021, ne presim që festivali të zhvillohet plotësisht në formë fizike në 2022”, thuhej tutje në njoftim.
Gjithashtu, afati fundit për paraqitje është 28 shkurt.
“Afati i fundit për paraqitje është 28 shkurt 2022. Aplikimet do të pranohen ekskluzivisht përmes platformës së Film Freeëay. Për të dorëzuar dhe për të pasur qasje në rregulloret e plota të festivalit, ju lutemi vizitoni faqen tonë të aplikimeve të Film Freeway”, u bë e ditur në shkresë.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurt, DokuFest është festivali më i madh i filmit në Kosovë. I vlerësuar si një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore dhe i votuar dy herë si Top 25 Festivalet më të bukura të filmit nga Filmmakers Magazine, çdo vit festivali mbush kinematë rreth qendrës historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filma nga e gjithë bota./21Media

Back to top button