Doli në treg birra NATO me ”shijen e sigurisë”

Një fabrikë birre në Finlandë ka lançuar një birrë me emrin NATO për të shënuar ofertën e vendit nordik për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore.
Logoja përmban një etiketë blu me një version vizatimor të një kalorësi mesjetar që pi birrë me armaturë metalike të zbukuruar me simbolin e busullës së NATO-s.
Emri i birrës është një lojë me shprehjen finlandeze “Otan olutta”, që do të thotë “Unë do të pi një birrë” dhe shkurtesën franceze për NATO, që është “OTAN”. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ka dy gjuhë zyrtare, anglisht dhe frëngjisht.
CEO, Petteri Vanttinen i tha Associated Press të enjten se vendimi ad hoc i fabrikës së birrës fundjavën e kaluar për të filluar prodhimin e birrës ishte i motivuar nga shqetësimet për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj për Finlandën.
Ai e përshkroi birrën e re me ”një shije sigurie, me një aluzion lirie”.
Finlanda dhe Suedia paraqitën të mërkurën një kërkesë për t’u bashkuar me NATO-n në selinë e aleancës në Bruksel.
Olaf Brewing tha se birra e saj e re nderon gjithashtu qytetin lindor finlandez të Savonlinna, baza e fabrikës së birrës që ndodhet disa dhjetëra kilometra nga kufiri i Finlandës me Rusinë.
Savonlinna është e njohur për Kështjellën e Shën Olaf, një strukturë mesjetare e vitit 1475 që shërben si një vend për një festival vjetor ndërkombëtar të operës.
Finlanda ndan një kufi prej 1,340 kilometrash (830 milje) me Rusinë, më i gjati nga çdo anëtar i Bashkimit Evropian./21Media

Back to top button