Donfried u takua me Varhelyi, ranë dakord se konflikti në Ukrainë e ka bërë integrimin edhe më urgjent
Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit e i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar kanë mbërritur dje në Shqipëri, ku janë takuar me Komisionerin Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Siç bëhet e ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ata kanë rënë dakord se pushtimi i pajustifikueshëm i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin edhe më urgjent.
Tutje ata kanë diskutuar mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
”Ndihmës Sekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe tha se SHBA mbetet e angazhuar për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar reformën në drejtësi në Shqipëri dhe rrugën e suksesshme drejt Bashkimit Europian”, thuhet në njoftimin e Ambasadës./21Media