Dosja e Prokurorisë: Drejtori i KPM-së u kap në flagrancë
Arben Bilalli, drejtor i financave në Komisionit të Pavarur për Media, i cili është arrestuar dy ditë më parë nën dyshimet për korrupsion, del të jetë kapur në flagrancë.
Kështu të paktën thuhet në dosjen e prokurorisë së Prishtinës të cilën e ka siguruar kallxo.com.
Sipas kësaj dosjeje Arben Bilalli së bashku me kryeshhefin e KPM-së Luan Latifin ishin taktuar me tre pronarët e një biznesi privat dhe për të biseduar në lidhje me mosndëshkimin e tyre nga KPM-ja.
Dosja e prokurorisë përshkruan se pas këtij takimi, drejtori Bilalli i ka pranuar nga njëri prej bashkëpronarëve të biznesit shumën prej 8 mijë eurove të cilat ishin para të buxhetit të Policisë së Republikës së Kosovës.
Në dosje përshkruhet se pasi janë marrë këto para, Bilalli ka qenë në kontaktim të vazhdueshëm me kryeshefin Luan Latifi.
Pasi është ndaluar nga Policia e Kosovës, drejtorit të financave, i janë gjetur 8 mijë eurot e Policisë së Kosovës të cilat janë përdorur për simulim.
Latifi dhe Bilalli u arrestuan gjatë këtyre ditëve në lidhje me dyshimet për korrupsion.
Komisioni i Pavarur i Mediave është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (televizionet dhe radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit./kallxo