Dosja në rastin e Mustafës do të kalojë të trupi gjykues më 30 prill

 

Mbrojtja e Salih Mustafës pritet të qëndrojë në Kosovë nga mesi i marsit deri më 5 prill me qëllim të mbledhjes së provave për t’u përballur në rastin gjyqësor ku ish-komandanti i UÇK-së po akuzohet nën pretendimin për kryerje të krimeve të luftës. Në konferencën e sotme mbi çështjen e Mustafës, të mbajtur në Dhomat e Specializuara në Hagë, prokuroria bëri të ditur se është e gatshme për fillimin e procesit gjyqësor, ndërsa nga gjyqtari u tha se kalimi i dosjes së çështjes të trupi gjykues pritet të ndodh më 30 prill.

Në përfundim të seancës së sotme, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou bëri të ditur urdhrin se mbrojtja e Salih Mustafës duhet të dorëzojë dosjen paraprake deri më 16 prill.

“Deri më 16 prill, të premten, mbrojtja ftohet të dorëzojë dosjen paraprake dhe materialin lidhur me të, sipas rregullës 95/5. Duke qenë objekt i zgjidhjes së çdo problemi të mbetur, kalimi i dosjes së çështjes trupit gjykues pritet të ndodh më 30 prill”, tha ai.

Ndërsa, më 6 prill, mbrojtja u urdhëruartë dorëzojë çdo kërkesë për masa mbrojtëse për dëshmitarët, alibi dhe jo alibi.

E avokati i Mustafës, Julius Von Bonne datën 6 prill nuk e pa të duhur për përmbushjen e aktiviteteve të tyre.

“Do të sugjeroja ta shtynim këtë afat më tutje në kohë por përpara afatit për dosjen paraprake, po ta vendosja unë, do të doja të kërkoja ta shtynim më 16 prill, meqë është për dosjen paraprake, nëse mund ta kalojmë me datën 30, e kam parë që propozoni me datë 30 kalimin e dosjes gjyqësore të trupi gjykues, unë mendoj se gjatë atij muaji do të jemi në gjendje të përfundojmë pjesën më të madhe të kësaj dosje. Mendoj për hir të efikasitetit dhe përgatitjes së dosjes tonë paraprake, do të ishte më e dobishme që të shtyhej”, deklaroi ai.

Tutje, ai bëri të ditur se do të qëndrojë në Kosovë nga mesi i marsit deri më 5 prill për të kryer hetimet.

Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Specializuar deklaroi se ka përfunduar nxjerrjen e provave në rastin dhe se nuk planifikojnë të nxjerrin prova të reja përveç në rast se të tilla mund të dalin nga aktivitetet hetimore.

Prokurori u shpreh se provat shfajësuese i kanë vendosur në dispozicion të mbrojtjes.

“ZPS ka përfunduar hetimet e veta, ka vetëm dy aktivitete hetimore ende të përfunduara që kanë mbetur, kemi diskutuar në seancën private dhe kemi depozituar një dokument të protokolluar sot në mëngjes, ju jeni i informuar plotësisht për këtë. Një aktivitet i papërfunduar hetimor është plotësisht në dijeninë tuaj zotëri gjykatës. Këto dy aktivitete nuk e pengojnë fare gatishmërinë për të kaluar çështjen në procesin gjyqësor, ne jemi të gatshëm për të filluar procesin gjyqësor”, tha ai.

Aktakuza e Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020 dhe i njëjti është arrestuar më 24 shator, prej kur po mbahet në paraburgim në Hagë.

Para Dhomave të Specializuara, Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat nën pretendimin për krime të luftës.

Back to top button