ATK vlerëson mbështejten e SHBA-së ndaj këtij institucioni

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka pritur në takim përfaqësuesin nga Ambasada Amerikane në Kosovë, Richard Heater.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se në këtë takim është diskutuar për progresin e ATK-së, si dhe bashkëpunimin e institucionit tatimor me Ambasadën.

“Bashkëpunimi ndërmjet ATK-së dhe Ambasadës së SHBA-së është shumë i rëndësishëm për avancimin dhe zhvillimin e sistemit tatimor në Kosovë. Me mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Administrata Tatimore ka arritur progres të rëndësishëm në përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe kapaciteteve të saj”, thuhet në komunikatën për media të ATK-së.

Tutje thuhet se Ambasada Amerikane ka ndihmuar në ofrimin e trajnimeve dhe programeve të specializuara për stafin e Administratës Tatimore, duke kontribuar në rritjen e aftësive teknike dhe profesionale të punonjësve të saj.

“Përveç kësaj, mbështetja financiare dhe teknike i ka mundësuar Administratës Tatimore të zhvillojë dhe zbatojë projekte inovative për të përmirësuar sistemin e mbledhjes së tatimeve dhe për të luftuar evazionin fiskal”, thuhet në komunikatë./21Media

Back to top button