Arrestohet drejtori i KEK-ut

(Lajm i përditësuar)

Prokuroria Speciale ka njoftuar se është arrestuar drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Krasniqi sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrim i ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”.

“Po ashtu, Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.​

Drejtori i KEK-ut refuzon të kontrollohet nga ekipi mjekësor në Emergjencë

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka refuzuar të kontrollohet nga mjekët në Klinikën Emergjente në QKUK.

U raportua se ai ka thënë se është i sëmurë dhe është dërguar në spital.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka thënë për portalin rtv21.tv se Krasniqi se ka qenë i shoqëruar me zyrtarët policorë deri në klinikë, por ka refuzuar të trajtohet.

KEK: S’kemi informacion pse Policia na i kontrolloi zyrat

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) tha se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për kontrollin e kryer nga Policia e Kosovës në zyrat e këtij institucioni të mërkurën.

Në një komunikatë dërguar mediave, KEK-u tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit si dhe do të ofrojë qasje të plotë “në cilëndo kërkesë nga këto organe”.

“Megjithatë, KEK mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim.

Bastisja në KEK, deklarohet policia

Policia e Kosovës konfirmoi  bastisjen në  Korporatën Energjetike të Kosovës.

Zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi për portalin rtv21.tv tha se për detaje tjera do të informojnë më vonë.

“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një kontroll në KEK dhe për detajet tjera rreth rastit do të informoheni me kohë.”, tha Krasniqi.

14: 42-Bastisje në KEK

Policia e Kosovës ka kryer sot bastisje në zyrat qendrore të Korporatës Energjetike të Kosovës-KEK në Prishtinë.

Mësohet se bastisja është bërë nga hetues të krimeve ekonomike. Motivet janë rreth një tenderi për njërin prej termocentraleve.

Është kontaktuar kontaktuar zëdhënësin e KEK-ut, Skënder Bucollin, por ai nuk ka konfirmuar bastisjen. Deri në momentin e publikimit të lajmit, as Policia dhe as Prokuroria Themelore nuk kanë kthyer përgjigje për këtë rast.

Ndërkohë portali rtv21.tv ka kontaktuar edhe Policinë e Kosvës, por që ende nuk ka marrë përgjgije.

Back to top button