Drejtori i Kulturës së Bujanocit thirret nga gjykata serbe, shkak flamuri kombëtar

 
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Bujanocit, Granit Sadriu, ka bërë të ditur se sot ka pranuar ftesë nga gjykata në Serbi që të paraqitet në gjyq, kjo pasi drejtoria të cilën ai e udhëheq ka arritur që ta siguroi sallën për mbajtjen e festës së 28 Nëntorit si dhe vendosi flamurin kombëtar.
“Për të shënuar 109 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, normalisht vendosëm edhe flamurin shqiptar. Sepse nuk mund të kremtohet kjo ditë pa simbolin e saj më emblematik”, ka shkruar Sadriu.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës që të marrin masa dhe ta rikthejnë Luginën në agjendën e tyre politike.
Sadriu ka publikuar ftesën dhe lëndën me të cilën ngarkohet, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojnë trysninë e nevojshme mbi Serbinë që ajo të trajtojë shqiptarët në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ndër të tjera, Sadriu ka shkruar në Facebook se pamundësisë sonë për të shprehur lirshëm e me krenari simbolet dhe identitetin tonë duhet t’i vije fundi./21Media

Back to top button