Drenasi planifikon ta shpall Begajn “Qytetar Nderi”

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se do të nisë procedurat që të shpallë “Qytetar Nderi” Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
“Për punën humane gjatë luftës tonë çlirimtare, së shpejti do të filloj procedurat për shpalljen e Presidentit Bajram Begaj “Qytetar Nderi” i komunës së Drenasit. Lufta çlirimtare në Kosovë, përfshiu burrat e gratë më të devotshme atdhetare, pavarësisht profesionit të tyre. Rasti i dr. Bajram Begajt, është ilustrim i atdhetarizmit, profesionit dhe fisnikërisë. Plagët e ushtarëve të lirisë, i njeh mirë tash President, dr. Bajram Begaj. Të plagosurit e UÇK-së dhe qytetarët e shumtë e merrnin përkujdesjen rrethanore në front, në spitalet e UÇK-së brenda Kosovës, apo tërhiqej i plagosuri nga fronti dhe dërgohej në Shqipëri”, shkroi Lladrovci.
Lladrovci shkroi se Presidenti Begaj, njeh pos plagëve tona, edhe zemrën e UÇK-së.
“Presidenti Begaj, jo vetëm që i njeh plagët tona, por edhe zemrën e UÇK-së, nga fillimet e saj, me lidhjen familjare në rrethana tjera edhe me Komandantin legjendar Adem Jasharin me shokë, nga viti 1991. Duke njohur kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit Bajram Begaj gjatë luftës tonë çlirimtare, së shpejti do të filloj procedurën e shpalljes së tij “Qytetar Nderi” i komunës së Drenasit”, shkroi Lladrovci./21Media

Back to top button