Dreshaj: Shteti po e trajton jetën njerëzore vetëm si statistikë ditore

Infektologu dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se është fatkeqësi që jeta njerëzore nga shteti po trajtohet vetëm si shifër në statistikat ditore të të infektuarve.
“Jeta është e shenjtë dhe është obligim shtetëror që ajo të mbrohet. Vet shtetet janë krijuar për të mbrojtur jetën e qytetarëve të tyre.”, ka shkruar Dreshaj në Facebook.
Deputeti krahas shkrimit, ka ndarë dy fotografi me stafin e Klinikës Infektive në Prishtinë, ku edhe u ankua për kushtet e rënda në të cilat punojnë mjekët dhe stafi teknik.
“Në Klinikën Infektive, nuk punon as porta dezinfektuese. Brenda klinikës, në mungesë stafi, po kujdestarojnë edhe kryeinfermierët. Fuqia shpirtërore e këtyre grave dhe burrave është për admirim. Nuk dorëzohen asnjëherë. Po shteti, ku është?”, ka shkruar Dreshaj.
Ndryshe, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se janë 929 pacientë të shtrirë në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme, ku prej tyre 723 të konfirmuar COVID-19 pozitivë, 688 me oksigjeno-terapi, 35 në gjendje të rënduar shëndetësore./21Media
 

Back to top button