Dua në Tiranë për bamirësi: Ishte një ëndërr e madhe, në Prishtinë projekt për artistët e rinj

2 min read

Ardhjet e shpeshta në Shqipëri dhe Kosovë janë dëshmi se Dua Lipa nuk i harron rrënjët e saj. Këtë herë vizita në Tiranë nuk lidhet vetëm me projektet artistike të këngëtares me famë ndërkombëtare por edhe me nismat e saj humanitare.

Fondet e grumbulluara nga Fondacioni Sunny Hill që Dua Lipa drejton do të shkojnë për rindërtimin e kopshtit nr 42 në kryeqytet.

“Është një ëndërr e madhe për mua, për një komunitet që më ka dhënë mua shumë, për krejt shqiptarët rreth botës që më kanë soportu. Kjo është një gjë e vogël çka unë mundem me bo”, u shpreh ajo.

Në Prishtinë në planet e Dua Lipës është krijimi i një hapësire që do t`ju vijë në ndihmë artistëve të rinj.

“E kemi pas një ide për me bo një projekt të vogël në Prishtinë, por për shkak të Covid, akoma nuk e kemi një ndërtesë. E kemi një ëndërr që duam me bo.”

Me gjithë suksesin që gëzon Dua ka treguar se di t`i menaxhoj fort mirë arritjet dhe famën.

“Familja dhe shoqëria që i kam unë përreth. Çka bëjë unë në punë është ëndrra ime, po kush jam unë në shtëpi jam Dua.”, tha ajo.

Në konferencën e zhvilluar me gazetarë të medieve në Shqipëri ajo u tregua e rezervuar lidhur me projektet e reja. Megjithatë, zbuloi se fondacioni Sunny Hill do të ketë një degë në Tiranë dhe se në planet e saj është një këngë në gjuhën shqipe dhe pse jo një videoklip i xhiruar mes bukurive të Shqipërisë./oranews