Duka i zhgënjyer nga humbja me Poloninë, kërkon reagim në ndeshjet e qershorit

Shqipëria e drejtuar nga trajneri Silvinjo e nisi rrugëtimin drejt Kampionatit Europian Gjermani 2024 me një humbje në transfertë përballë Polonisë. Një debutim i hidhur për trajnerin brazilian të kuqezinjve që pavarësisht një loje të mirë të treguar në Varshavë nuk arriti të sigurojë një rezultat pozitiv në këtë start eliminatoresh.

Presidenti i Federatës Shqiptarë të futbollit, Armand Duka, nuk e ka fshehur zhgënjimin e përjetuar në këtë debutim dhe ka theksuar se përtej paraqitjes pozitive, të gjithë nuk duhet të harrojnë se edicioni u nis me humbje dhe se koha e humbjeve dinjitoze është tejkaluar tashmë.

“E nisëm këtë rrugëtim kualifikues ndaj skuadrës së renditur si kokë grupi. Sigurisht që e dinim që do të ishte një ndeshje e fortë por ne kishim përgatitur gjithçka për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë. Për lojën e zhvilluar dhe atë që dhamë në fushën e lojës duhet të kishim marrë diçka më shumë por kjo nuk ndodhi. I përgëzoj lojtarët, ashtu si edhe stafin teknik për impenjimin e treguar por koha e humbjeve dinjitoze është e tejkaluar dhe ne kurrsesi nuk mund të kënaqemi me një humbje të tillë. Duhet të rritemi, të punojmë më shumë dhe të jemi më me këmbë në tokë. Duhet ta kuptojmë të gjithë, ne, ekipi e stafi drejtues që kemi humbur në Varshavë”, ka thënë duke për faqen zyrtare të FSHF-së.

Tutje, i pari i FSHF-së ka kërkuar përkushtim maksimal për dy ndeshjet e muajit qershor ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, duke thënë se gabimet ndaj tyre do të kushtojnë me largim nga objektivi për kualifikim në Euro 2024.

“Qershori na rikthen në shtëpi me ndeshjen ndaj Moldavisë dhe transfertën e Ishujve Faroe. Dy ndeshje shumë të vështira. Do të kemi përballë një Moldavi krejt tjetër nga ajo e tre viteve më parë, kjo u pa edhe në ndeshjen që ato luajtën me Republikën Çeke. Janë shumë të organizuar, një skuadër e vendosur mirë në fushë dhe shumë të kujdesshëm. Duhet të zbresim në fushën e lojës të karikuar për të arritur fitoren. E njëjtë edhe për transfertën e Torshavnit, është një nga kundërshtarët më të vështirë në fushën e tyre. Moldavia e tregoi forcën e vet ndaj Çekisë ashtu si Ishujt Faroe pak muaj më parë kur mundën Turqinë në shtëpi. Intensiteti, përkushtimi dhe përqendrimi do duhet të jenë maksimal. Dy ndeshjet e qershorit janë më të rëndësishmet për ne. Nëse gabojmë largohemi nga objektivi”, ka shtuar Duka.

Përkundër humbje snga Polonia, Duka thotë se objektivi është ende i arritshëm.

“Ne jemi totalisht në lojë dhe objektivi jonë mbetet i pandryshuar: kualifikimi. Kemi përpara 7 finale. Janë shtatë ndeshje ku ne duhet të jemi perfekt në çdo aspekt dhe të arrijmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Nuk lejohen hapat fals. Duhet të luftojmë për çdo pikë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe pa diskutim që objektivi jonë do të jetë realizuar. Cilësitë skuadra i ka, stafi teknik është shumë i impenjuar për të bërë më të mirën ashtu si edhe Federata, opinion publik dhe mediat që e kanë mbështetur skuadrën dhe do të vazhdojnë ta bëjnë”, tha në fund ai.

Shqipëria është pjesë e grupit E dhe momentalisht është e fundit me zero pikë, ndërsa në kët grup bëjnë pjesë edhe Republika e Çekisë, Ishujt Faroe, Polonia dhe Moldavia

Back to top button