Duke pastruar pusin, vdiq 38 vjeçari në Mallakastër

Pastrimi i pusit në Lofkënd të Mallakastrës nga dy bashkëfshatarë përfundoi në tragjedi. Njëri humbi jetën dhe tjetri e rrezikoi.
Besnik Veliaj 38 vjeç dhe Bledar Bregu 33 vjeç gjatë punës u asfiksuan dhe përfunduan disa metra në thellësinë e tij.
Ndërhyrja në kohë e ekipit zjarrfikës i nxori me jetë dy burrat që u dërguan me urgjencë për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Fierit.
Besnik Veliaj nuk mbijetoi dot dhe ndërroi jetë, ndërsa 33 vjecari Bledar Bregu është nën kujdes mjekësor.
Probleme, por pa rrezik për jetën shfaqi edhe zjarrfikësi Albens Zotaj, i cili u fut në thellësinë e pusit për t’i nxjerrë.
Dyshimet janë se Besnik Veliaj dhe  Bledar Bregu u asfiksuan nga gazet që çlirohen nëntokë gjatë pastrimit të pusit që përdoret për vaditje.
“Janë futur për të pastruar pusin, kanë punuar dhe më parë”.
Hapja dhe pastrimi i puseve të ujit në mënyrë artizanale dhe pa pajisjet e posaçme që duhen në raste të tilla, në vazhdimësi ka prodhuar tragjedi. Më e rënda ishte ajo e vitit 2020 në Dyshnik të Beratit, ku humbën jetën tre persona./Oranews

Back to top button