Durmishi: Brenda dy-tre ditësh e marrim raportin se a është stabile Ura e Ibrit
(Lajm i përditësuar)
Pasi ka filluar testimi i urës së Ibrit me disa kamionë mbi të, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi në një prononcim për media ka thënë se testimi i urës po bëhet për të konstatuar se a është stabile për qarkullimin e automjeteve apo nuk është.
Sipas Durmishit, brenda dy-tre ditësh ata presin një raport final të stabilitetit të urës së Ibrit nga kompania që është duke bërë testimin e kësaj ure.
“Pra, kjo është pjesë teknike që është duke u zhvillu, sot gjatë ditës përmbyllet ky si proces dhe e presim një raport prej kompanisë, e cila e ka fitu këtë kontratë që të na tregojë me metoda shkencore se kjo urë është stabile dhe përmbushë të gjitha kërkesat që duhen për qarkullimin e automjeteve”, ka deklaruar Durmishi.
Durmishi është pyetur për reagimin e shteteve të QUINT lidhur me hapjen e urës së Ibrit.Ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara), nuk kanë mbështetur ndryshimin e statusit aktual të Urës së Ibrit në Mitrovicë.
“Natyrisht që kryeministri, Qeveria kanë takime të rregullta me QUINT, me të gjithë faktorët relevant ndërkombëtar. Siç e shihni ju kjo urë kur është projektu dhe kur është ndërtu është ndërtu për qarkullimin e automjeteve dhe qarkullimin e këmbësorëve duke e pa që sot secili qytetar i Kosovës mund të lëvizë lirshëm në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, ashtu siç lëvizë lirshëm në Shtëprcë, Graçanicë, Ranillugë, Kllokot atëherë është e pakuptimtë që kjo urë të mos hapet për kalimin edhe të automjeteve”, ka thënë Durmishi.
Tutje, Durmishi ka theksuar se kanë koordinim me KFOR-in për të gjitha procedurat që synojnë t’i përfundojnë në urën e Ibrit.Durmishi është pyetur edhe për kompaninë, e cila është përzgjedhur për testimin e urës së Ibrit, e për të cilën tha se është përzgjedhur me procedurë të përshpjetuar. “Ka qenë me procedurë të përshpejtuar, pak kompani kanë pajisje të tilla për matjen e stabilitetit të urës. Janë përfundu të gjitha procedurat, është nënshkru kontrata, kemi fillu punimet dhe besoj që sot përfundon testimi, brenda dy-tri dite e presim raportin final”, ka shtuar Durmishi.
Pasi është parë kompania ‘Bageri’ në urën e Ibrit, gazetarët e kanë pyetur Durmishin për miqësinë e tij me pronarët e kësaj kompanie.
“Këto pyetje ju lutem me naj konferencë tjetër. Krejt çka kam pas unë për kompaninë “Bageri” kam fol, po më duket që serioziteti i temës mund të dëvijohet me pyetje të tilla për kompaninë ‘Bageri’”, ka thënë ai.
Më tej, Durmishi nuk ka bërë të ditur ndonjë datë se kur do të hapet ura e Ibrit, por ka thënë se ajo do të hapet.
“Unë nuk po vi shpesh, po, po vi se jemi duke implementu një kontratë. Ne kemi një kontratë për testimet e stabilitetit të kësaj ure. Kemi fillu para dy dite me matje gjeometrike, sot po i bëjmë testimet për ta konstatu se ura është stabile për qarkullimin e automjeteve apo jo, kur të përfundon kjo kontratë nuk do të më shihni këtu” – tha Durmishi./kallxo.com
Atiq: Demokratizimi i institucionit komunal është shumë me rëndësi
Kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq gjatë takimit me qytetarë të Mitrovicës së Veriut në objektin e kësaj komune tha se interesimi i qytetarëve për të marr pjesë është shumë i madh.
Atiq ka përmendur punët që kanë kryer në këtë komunë brenda mandatit të tij, derisa tha se demokratizimi i institucionit komunal është shumë me rëndësi.
“Demokratizimi i institucionit komunal është shumë me rëndësi edhe për mu si kryetar komune edhe si premtim elektoral që e kam pas por edhe për ekipin me të cilën punojmë bashkë më shumë se 1 vjet. Sa i përket temës së qarkullimit të lëvizjes së lirë jemi të hapur me diskutu me juve dhe me ju dëgju brengat e kritikat aty ku ju i cilësoni si të rëndësishme dhe me ju përgjigj çkado që keni nevojë”, tha ai.
Për një vit qeverisje, Atiq tha se qytetarët që i janë qasur komunës janë munduar që me kapacitetet që i kanë t’iu dalin ballë për tua zgjidhur problemet.
“Jam krenar me deklaru se takime me gjithë qytetarët pa dallim kemi çdo të 2-tën 3 ditë. E kemi parasysh që kemi shumë punë që duhet me u kry, mirëpo kemi të bëjmë me një komunë politikisht komplekse kështu që duhet me punu edhe punët që po i kryejmë me hapa tepër të kujdesshëm dhe mirë të llogaritura mos me shkaktu tensione ose pakënaqësi te qytetarët shumicë të kësaj pjese të komunitetit serb. Nëse duhet me cek prej punëve që janë tu u kry jemi shumë krenar që kemi mujt Komunën e Mitrovicës me transformu në kuptimin e transparencës llogaridhënies e një farë mënyre me hap për qytetarë. Statistikisht mbi 90 për qind të qytetarëve që kanë brenga në mënyrë jo formale dhe formale të cilët kanë ardh dhe na janë qasur neve muj me than që një përqindje tepër të lartë i kemi taku dhe jemi mundu me kapacitete ton me i dal ballë e me ua zgjedh ato probleme”, tha Atiq.
Krasniqi: Absurde që Ura e Ibrit të mbahet e mbyllur, hapja e saj s’është kundër askujt
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se është absurde që ura mbi lumin Ibër të vazhdojë të mbahet e mbyllur.
Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar nga komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale, ai shtoi se hapja e kësaj ure nuk do të jetë kundër askujt.
“Ritheksoj siç thuhet edhe në planin e BE-së, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovë. Në atë plan thuhet se rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve të të gjithë qytetarëve të veriut dhe jugut, do të kontribuojë në shkëmbim dhe mirëkuptim. Jo vetëm që nuk ka arsye por tashmë është absurde vazhdimi i mbajtjes së urës mbyllur. Edhe kjo urë duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Hapja e saj nuk do të jetë kundër askujt, jemi të bindur që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk rrezikon paqen dhe sigurinë”, u shpreh ministri.
Elshani: Sa i përket sigurisë, s’ka arsye që Ura e Ibrit të mbetet e mbyllur
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut në takimin me qytetarë të Mitrovicës së Veriut që ka nisur para pak minutash në objektin e Komunës, ka thënë se në pjesën Veriore ka shumë probleme dhe ato dihen.
Elshani ka përmendur edhe temën e Urës së Ibrit, duke thënë se si Polici e Kosovës e pyesin veten se pse ura është e mbyllur, dhe iu ka thënë të pranishmëve se do të ishte mirë të tregonin se pse mendojnë se ura duhet të mbetet e mbyllur.
Numri dy i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut ka thënë se sa i përket aspektit të sigurisë, s’ka arsye që Ura e Ibrit të mbetet e mbyllur, meqë Policia e Kosovës do të kishte gjetur forma të ndryshme për ta siguruar.
“E pyesim vetën si Polici e Kosovës pse kjo urë është mbyllur, do të ishte mirë nga ju me ndëgju se pse kjo urë duhet të mbetet e mbyllme, sepse nga aspekti i sigurisë s’ka arsye. Nëse është për me siguru, ne kishim gjetë forma për ta siguru në forma të ndryshme”, ka thënë Elshani.
Debatit për Urën e Ibrit i paraprin protesta brenda objektit komunal
Në Komunën e Mitrovicës së Veriut ka nisur takimi me qytetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik dhe bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.
Para fillimit të këtij debati përfaqësues të subjektit politik joparlamentar “Demokracia Serbe”, kanë protestuar brenda objektit të Kuvendit Komunal, pasi sipas tyre, aktivistë të tyre sot janë shoqëruar në polici.
Në takim të pranishëm pos kryetarit të komunës, Erden Atiq, janë edhe ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi si dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.
Ndryshe një ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se qytetarët do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit institucionalë dhe institucionet e vendit, duke ftuar edhe qytetarët serbë që të marrin pjesë në këtë diskutim.