Dy aktivistë të VV janë arrestuar gjatë seancës gjyqësore

Sipas VV ata janë arrestuar për shkak se po merrnin pamje nga seanca gjyqësore

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë gjatë seancës gjyqësore ndaj katër aktivistëve të kësaj lëvizje gjatë ditës së sotme.

Aktivistët Arianit Beqiri dhe Gerolld Nikoliqi, që sipas VV-së ishin pjesë e ekipit  të medieve, janë arrestuar për shkak se po merrnin pamje nga seanca gjyqësore, e cila ishte e hapur për mediet.

“Një veprim i tillë, i papranueshëm, është tregues i qartë i bashkëpunimit mes policisë dhe drejtësisë së kapur, me synimin që ta largojnë vëmendjen e publikut sa më shumë nga kjo padrejtësi ndaj Adeas, Atdheut, Egzonit e Frashërit. Pafajësia e tyre është e vërteta rreth këtij rasti, e cila do të merret vesh sado që ky rast të zgjatet dhe përkundër jotransparencës së organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e VV-së.

VV kërkon lirimin e mënjehershëm të aktivistëve Beqiri dhe Nikoliqi, si dhe të heqet dorë nga ky rast të cilin e quajnë të montuar ndaj katër aktivistëve.

“Përndjekjet ndaj gjithë aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet të marrin fund. Ato nuk e ndalin në asnjë mënyrë angazhimin tonë për shtet të së drejtës dhe shoqëri të barabartë”, thuhet në fund të njoftimit./21Media

Back to top button